Sport

Histori/ Shkëlqimi dhe rënia e ekipeve fituese të Ligës së Kampionëve


Futbolli është i paparashikueshëm dhe këtë e ka treguar në shumë raste dhe me shumë ekipe. Në Ligën e Kampionëve ka pasur një sërë rastesh kur ekipet që e kanë fituar, një vit më pas e kanë humbur totalisht shkëlqimin e tyre.

Bayern Munich-ut, kampioni aktual i Ligës së Kampionëve, këtë sezon nuk shkoi më shumë se çerekfinalet.

Por, cilat janë ekipet me ecurinë më të dobët, pasi fituan Ligën e Kampionëve?

Marseille – sezoni 1993/94

Në finalen e “Olympiastadion” në Mynih më 26 maj 1993, që u ndoq nga 64 mijë e 400 të pranishëm, Marseilla mundi Milan-in. Mjaftoi një gol i Basile Boli-t në minutën e 43, për të shpallur Marseille-n fituese.

Epoka e artë e Marseille-s u njollos nga korrupsioni dhe trukimi i ndeshjeve, aq sa u dërgua një kategori më poshtë. Kjo ishte hera e parë në histori, ku fituesit e Ligës së Kampionëve nuk merrnin pjesë në të, në sezonin pasardhës.

Chelsea – sezoni 2012/13

Londinezët fituan Ligën e Kampionëve në vitin 2012, një trofe historik për ta, sepse ishte i pari për klubin. Didier Drogba ishte heroi i Chelsea-t atë ndeshje përballë Bayern Munich-ut. Sulmuesi barazoi takimin në 1-1, në të 88 minutë, ndërsa ndeshja shkoi në shtesë dhe më pas me penallti. Blutë fituan me rezultatin 3-4 me penallti.

Por, një vit më vonë, ata nuk kaluan fazën e grupeve. Chelsea ishte në grup me Juventus-in, Shakhtar Donestsk-un dhe Nordsjaelland-in. Blutë përfunduan të tretët me 10 pikë, po aq sa edhe ukrainasit e Shakhtar-it, por vijuan në Ligën e Europës.

Rastet më të shumta janë kur fituesit e Ligës së Kampionëve, një vit më pas përfundojnë garën deri në raundin e të 16-ave. Porto në sezonin 2004/05, Liverpool në sezonin 2005/06, Barcelona në sezonin 2006/07, Milan në sezonin 2007/08, Real Madrid në sezonin 2018/19 dhe përsëri Liverpool në sezonin 2019/20 janë ekipet që nuk kanë shkuar më larg se raundi i të 16-ave.

Ndërsa rastet më të mira janë ato të Real Madrid-it. Madrilenët kanë fituar pesë herë rresht Ligën e Kampionëve, në fillimet e saj, përkatësisht në vitet 1956, 1957, 1958, 1959 dhe 1960. Por, gjithashtu Real Madrid-i e ka fituar edhe tre vite rresht në epokën e futbollit modern, në vitet 2016, 2017 dhe 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore