Kosova

Hill: Po i thonë Serbisë të lërë Kosovën dhe të kthehet kah e ardhmja, por mendoj se është më e ndërlikuar se kaq


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka bërë një deklaratë tejet problematike sa i përket qasjes që Serbia duhet ta ketë në raport me Kosovën, dhe kërkesat që vijnë në drejtim të Beogradit për këtë çështje.

Hill gjatë “Forumit të Sigurisë në Beograd”, në panelin “Ballkani Perëndimor në (ç)rregullim global”, ka theksuar se po i thonë Serbisë “hajde Serbi, mbaroi, Kosova është e pavarura, duhesh të mendosh për të ardhmen”, por sipas tij kjo çështje nuk është kaq e thjeshtë.

“Do të doja të ishte kështu, por mendoj se është më komplekse se kaq”, tha diplomati amerikan.

Ai ka shtuar se është e nevojshme të inkurajohen të dyja palët që të dëgjojnë njëri-tjetrin, duke nënvizuar se “ndonëse është këshillë për gjashtëvjeçarët, është e vlefshme të kemi mirëkuptim të ndërsjellë”.

Jashtë kësaj, ai ripërsëriti qëndrimin e tij sa i përket sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, duke kërkuar që fillimisht të kuptohet se çfarë ka ndodhur, në mënyrë që të parandalohen ngjarje të tilla në të ardhmen dhe pas kësaj pason de-përshkallëzimi.

Ndërsa, ai vuri në pah domosdoshmërinë e zgjidhjes politike të krizës, duke shtuar se në këtë drejtim Bashkimi Evropian ka dhënë një koncept – “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe për serbët në Veri të Kosovës, në këmbim të ndërkombëtarizimit për Kosovën”.

Ambasadori gjatë panelit “Ballkani Perëndimor në (ç)rregullimin global” deklaroi se duhet fillimisht të kuptohet se çfarë ndodhi në Banjë, sepse pas kësaj është e mundur të parandalohet përsëritja e një ngjarjeje të tillë dhe që pas kësaj de- pason përshkallëzimi.

Po ashtu, Hill potencoi se është duke u përpjekur që ta harrojë Konferencën e Rambujës (1999), në të cilën ai ishte i përfshirë direkt, duke thënë se situata ka ndryshuar nga atëherë.

Në atë kohë, theksoi ai, “njerëzit zgjoheshin dhe shtriheshin, kishin makthe për Ballkanin, ndërsa sot ka shumë situata të tjera që e bëjnë të pamundur zhvendosjen e gjithë fokusit në Ballkan”.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që BE dhe SHBA të përpiqen të gjejnë një mënyrë për të mbështetur njëri-tjetrin së bashku dhe që Ballkani të jetë aty ku i takon gjeografikisht. Ka shumë kushte normative dhe kjo është e kuptueshme sepse në çdo klub të mirë duhet të ketë disa standarde, prandaj mendoj se të gjitha vendet e Ballkanit duhet të bëjnë gjithçka për t’i arritur ato”, deklaroi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore