Lajme

Hill: Kam simpati për serbët në Veri, Asociacioni është çështje thelbësore


Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbia, Christopher Hill, ka shprehur simpatinë e tij ndaj serbëve që jetojnë në Veri të Kosovës, duke shtuar se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është thelbësore për implementimin e Marrëveshjes Bazë.

Sipas diplomatit amerikan normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nënkupton pranimin e dokumenteve në mënyrë të ndërsjellët në njërën anë e që kufijtë të kthehen në diçka që bashkon e jo në diçka që ndan, në anën tjetër.

Duke folur për çështjen e njohjes së ndërsjellët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Hill ka thënë se kjo çështje aktualisht nuk është në tavolinë dhe se tema kryesore mbi të cilën po negociohet është normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Sot njerëzit përdorin shpesh fjalë latine përpara fjalës njohje, por le të qëndrojmë tek ajo që është në të vërtetë, normalizimi i raporteve. Është një marrëdhënie që nuk karakterizohet nga tensione dhe probleme të përditshme. Ai gjithashtu përfshin disa elementë shumë të rëndësishëm që do të ndikojnë në jetën e njerëzve në Veri të Kosovës, siç është Asociacioni”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug.

I pyetur nëse Kosovës dhe Serbisë do t’i kërkohet të përshpejtojnë zbatimin e Marrëveshjes për shkak të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm në Bashkimin Evropian dhe SHBA, Hill ka potencuar se është e vështirë të imagjinohet një situatë në të cilën do t’u kërkohet ngadalësimi i procesit.

“Ne kemi një problem të madh në Ukrainë. Unë them se për shkak të agresionit të Rusisë ndaj fqinjit të saj, Ukrainës, ne kemi gjithashtu një problem të madh në Lindjen e Mesme. Mendoj se ka kapacitet të mjaftueshëm, mendoj se ka mjaft energji dhe interes për të zgjidhur problemet e Ballkanit. Dhe kjo është sigurisht një prej tyre, një nga kryesoret”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore