Lajme

Hill: Amerika ka dhënë qëndrimin për rastin e Banjës, diçka e tillë s’guxon të ndodhë kurrë më


Foto nga konferenca

Ajo që ka ndodhur në Banjë të Zveçanit, kur Milan Radojiçiç organizoi bandë terroriste për të sulmuar Kosovën, përmes financimit të Serbisë, nuk guxon të ndodhë kurrë më, ka thënë ambasadori amerikan, Christopher Hill, derisa është përgjigjur në një pyetje nga Albanian Post.

“A keni të thoni diçka për faktin që Serbia nuk po e arreston Milan Radojiçiç-in, kur ai vetë e ka pranuar se ka organizuar sulm terrorist në Kosovë?”, është pyetur Hill nga gazetari Valon Rashiti, derisa po mbante një konferencë të përbashkët me kryetarin e komunës së Preshevës, ku ishte për vizitë.

Hill ka thënë se nuk dëshiron të flas shumë për këtë çështje, kjo pasi “qëndrimet e shtetit tim janë shumë të qarta”.

Ai ka deklaruar se “ka një proces ligjor që është duke u zhvilluar”, prandaj “nuk dua të bëj ndonjë komente”.

Megjithatë, ka përsëritur, atë që zyrtarisht e ka thënë shteti amerikan, se “duhet të ketë llogaridhënie”.

“Siç e dini për Banjën SHBA e ka pasur një qëndrim shumë te qartë: një incident i tillë nuk guxon të ndodh kurrë më”, pohoi Hill.

Hill u pyet edhe për dialogun që Kosova e zhvillon me Serbinë në Bruksel dhe përformancën e ndërmjetësve që shpesh duket se kanë humbur kursin me palët.

Hill pati fjalë të mira për ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për të cilin tha se “të gjithë ne jemi me fat që e kemi një njeri si Lajçak në dialog, i cili është duke punuar ne këtë proces”, prandaj “duhet ta përkrahim”.

“Unë jam këtu për t’i promovuar interesat e SHBA, por duhet përmirësim i dukshëm i raporteve në Rajon dhe ky përmirësim është në linje me ata që është duke bëre zotëri Lajçak”.

“Ai, zotëri Lajçak, është duke provuar të bëjë një zgjidhje”, pohoi Hill.

Sa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pohoi se “është sipas standardeve të BE-së”.

Hill foli edhe për çështjen e Ballkanit të Hapur, nismë rajonale e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e Serbisë, por që Kosova e kundërshton.

“Jam përkrahës i Ballkanit të Hapur”, thënë Hill.

duke shtuar se “Ballkani Hapur ka të bëjë me problemet e qytetarëve” dhe “me investime në rajon”.

“Kjo është e rëndësishme, investimet dhe zhvillimi i rajonit. Prandaj, do të tentoj që të bind  investitorët që të investojnë në këtë rajon”, deklaroi Hill.

Diplomati amerikan foli edhe për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për stopimin e përdorimit të dinarit për shitblerje dhe kërkesën amerikane që ky vendim të shtyhet.

“E përkrahi deklaratën e SHBA për dinarin, sepse këto çështje duhet të zgjidhen me dialog”, tha Hill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore