Lajme

Hijet ruse në votimet italiane, Medvedev ndërhyn në fushatën elektorale


Një zë vjen nga Moska. Dmitri Medvedev, ish-president i Federatës Ruse dhe nënkryetar aktual i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dje bëri një apel drejtuar evropianëve, i cili dukshëm u drejtohej mbi të gjitha italianëve: “Në Sondazhe”, shkruan ai “do të donim të shihnim qytetarët evropianë jo vetëm të shprehin pakënaqësi me veprimet e qeverive të tyre, por edhe të thonë diçka më koherente. Për shembull, që t’iu kërkojnë në llogari, duke i ndëshkuar për marrëzinë e tyre të dukshme”.

“Marrëzia” është psh përplasja me Rusinë dhe vendosja e sanksioneve.

“Nëse çmimi i demokracisë është të kesh ftohtë në shtëpi dhe të kesh frigoriferë bosh, një demokraci e tillë është për të çmendurit”, përfundon ai.

Këtë herë ndërhyrja ruse është e qartë. Medvedev qartësisht ëndërron të shohë të përmbysur qeveritë që kanë provuar se janë miq të Ukrainës.

Ministria e Jashtme italiane ka protestuar dhe kjo nuk është hera e parë. “Medvedev po ndërhyn sërish me këmbëngulje në çështjet e brendshme politike, duke dhënë edhe këtë herë një shenjë nga do që të votohet”, thotë ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio.

Me pak fjalë, fjalët e Medvedevit e ndezin edhe më shumë fushatën elektorale. Partia Demokratike (parti e qendrës së majtë) është shumë e qartë. Sekretari i saj Enrico Letta për televizionin italian thotë “Lega (parti e djathtë) duhet të anulojë marrëveshjen e nënshkruar me Rusinë e Bashkuar, partinë e Putinit, në 2017”. Përndryshe kjo do të ishte “shumë serioze për sovranitetin e vendit tonë”.

Të njëjtin qëndrim kanë dhe përfaqësues të tjerë. “Është një fakt serioz i ndërhyrjes, të gjithë duhet të distancohen, duke filluar nga e djathta e cila gjithnjë është më e paqartë mbi këtë temë”, tha Enrico Borghi, një anëtar i Copasir (komiteti parlamentar për sigurinë).

Çështja është padyshim pak e tretshme për Salvinin apo Berluskonin, me simpatitë e tyre të njohura tashmë për Putinin. Më pak për Giorgia Melonin (në krye të partisë së djtahtë “Fratelli d’Italia” (FdI), të cilën sondazhet e japin në vend të parë në preferencat e votuesve), e cila shtyn në deklarata njerëzit e saj.

Adolfo Urso, senator i FdI dhe president i Copasir, denoncon si “groteske” deklaratën e Medvedev kundër një vendi si Italia, që është tejet i rëndësishëm për mbrojtjen perëndimore dhe atlantike. Kolegu i tij Giovanbattista Fazzolari është edhe më i ashpër “Deklaratë e re e dhimbshme e zëvendëspresidentit të Këshillit Kombëtar Rus Medvedev, i cili tani është kthyer në një njollë në nivel planetar dhe që dëshmon për rënien e thellë të regjimit Putinian”.

Rasti i ndërhyrjes ruse, megjithatë, do të zjejë gjatë gjithë ditës. Derisa vetë Salvini tenton ta ta kalojë në qeshje dyke thënë “nuk më interesojnë ofendimet e Partisë Demokratike. Janë italianët dhe jo-rusët, kinezët dhe eskimezët ata që do të votojnë. Jashtë vendit mund të thonë çfarë të duan, nuk më intereson të bëj polemikë me pjesën tjetër të botës”.

Dhe në mbrëmje më në fund Giuseppe Conte (lider i lëvizjes “5 Yje”) deklaron gjithashtu se “ndërhyrja e Dmitri Medvedev në zgjedhjet e ardhshme evropiane është e papërshtatshme dhe e rrezikshme. Italianët nuk duhet të marrin mësime dhe këshilla nga askush, aq më pak nga ata që janë bërë protagonistë të luftës dhe sjelljeve që shkelin ligjin dhe të drejtat më elementare të njeriut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore