Teknologji

Hetimi për bllokimin e ‘cookies’ nga Google


Hetuesit e Departamentit të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimin e tyre për planin e Google-it për bllokimin e mjetit të ndjekjes në internet të quajtur “cookies”.

Agjencia e lajmeve, Reuters, e cila mbart ekskluzivitetin e lajmit, zbulon se hetuesit kanë pyetur drejtuesit e industrisë së reklamava nëse lëvizja e Google-it do të pengojë rivalët e saj më të vegjël.

Kjo vjen pas njoftimit të Google-it një vit më parë se do të ndalonte disa “cookies” në shfletuesin e saj Chrome për të rritur privatësinë e përdoruesve.

Dy muajt e fundit, kompania ka dhënë më shumë detaje duke bërë që rivalët e reklamave në internet të nisin të ankohen për humbjen e mjetit mbi mbledhjen e të dhënave.

Pyetjet e hetuesve kanë qenë të fokusuara te mënyrat se si politikat e Chrome-it, përfshirë ato që lidhen me “cookies”, ndikojnë në industrinë e reklamave dhe lajmeve.

Reuters shkruan se ata po pyesin nëse Google-i po përdor Chrome-in, i cili zë 60% të tregut global, për të zvogëluar konkurrencën nëpërmjet parandalimit të kompanive rivale të reklamave të gjurmojnë përdoruesit përmes “cookies” teksa lënë boshllëqe që ajo të grumbullojë të dhëna me mjete analitike dhe burime të tjera.

Kjo tregon që zyrtarët po ndjekin projektet e Google-it në tregun global të reklamave në internet. Gjithashtu së bashku me Facebook-un kontrollojnë rreth 54% të të ardhurave.

Mirëpo, hetuesit kanë pyetur edhe rivalët nëse kanë hasur sjellje të ngjashme, por nuk kanë dhënë koment mbi çështjen.

Nga ana tjetër, Google-i e ka mbrojtur biznesin e saj të reklamave duke thënë se po ndihmonte kompanitë të rriteshin dhe të mbronin privatësinë e përdoruesve nga praktikat shfrytëzuese.

“Konkurrenca e madhe në mjetet e reklamave i ka bërë reklamat në internet më të përballueshme, ka ulur tarifat dhe ka zgjeruar opsionet për publikuesit”, është shprehur kompania.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore