Shqipëria

Hetimet për inceneratorët, Subashi dhe Bllako thirren në SPAK


Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, dhe deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, janë thirrur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), të premten e 18 shkurtit për të dëshmuar.

Kjo, në kuadër të hetimeve për çështjen e inceneratorit të Fierit.

Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të Albanian Post pranë SPAK-ut.

Bllako pritet të pyetet për rolin e tij si ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit. Në këtë periudhë janë miratuar edhe lejet për inceneratorët.

Ndërkohë, në Komisionin Hetimor janë thirrur dëshmitarë të shumtë, që mendohet se janë në dijeni të çështjes.

Kryetarja e Komisionit, deputetja demokrate Jorida Tabaku, theksoi se jo vetëm i Elbasanit, po edhe ai i Fierit dhe i Tiranës janë në shkelje me ligjin.

“Të tre inceneratorët nuk kanë pasur vlerësimin e ndikimit në mjedis, nuk kanë pasur leje mjedisore, nuk kanë plotësuar kërkesat e ligjit, kanë shkelur me të dyja këmbët ligjin për sa i përket këtyre procedurave, por nga ana tjetër sot zbuluam që institucione zyrtare shtetërore i lanë duart dhe thanë se nuk na kanë përfshirë në këtë aferë”, vijoi Tabaku në fjalën e saj.

Sipas saj, “ këtu nuk bëhet fjalë për incenerimin, por fakti është pse u vendos të ndërtoheshin tre inceneratorë, kur nuk funksionojnë. Janë tenderuar para për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Të tria procedurat janë korruptive dhe, për pasojë, edhe zbatimi i kontratës koncesionare janë korruptive”.

Nga ana tjetër, duke vijuar me akuzat tha për kryetarin e Bashkisë së Elbasanit se “ne sot dëgjuam disa pohime të rëndësishme nga ai”.

“Sot zbuluam se institucionet shtetërorë i lanë duart, duke thënë se nuk jemi të përfshirë në këtë aferë”, ravijëzoi Tabaku.

Më tej, ajo ngre pyetje se: Pse ky tender iu dha kompanive që nuk kanë asnjë eksperiencë në këtë fushë?

“Kompanitë kanë paguar veten e tyre. Kanë paguar shpenzime të jashtëzakonshme për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Kanë marrë monopole, kontrata dhe licenca”.

Ajo e mbylli duke thënë se priten ende dëshmitarë të tjerë në Komision.

Arrestimi i Lefter Kokës

Një ish-ministër është arrestuar në kuadër të këtij hetimi.

Lefter Koka u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor.

Ai shërbeu si ministër i Mjedisit në vitet 2013-2017.

Arrestimi ka ardhur, pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceneratorëve.

Por, përveç Kokës, janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të cilëve në vijim pritet që t’iu komunikohet edhe akuza.

Akuza e LSI-së lidhet me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Gjashtë ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI-ja.

E para lidhet me emërtimin e procedurës.

Sipas kryetares së kësaj partie, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.

Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori.

Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.

Arsyeja e katërt lidhet me afatin e zgjatur të punimeve.

E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.

Koka akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore