Shqipëria

Basha: 430 milionë euro i janë vjedhur shqiptarëve, punimet për inceneratorët as që kanë nisur


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar akuzat e tija kundrejt çështjes së inceneratorëve, ku ajo e fundit lidhet me pretendimin se 430 milionë euro, i janë vjedhur taksapaguesve, kur në fakt punimet as që kanë filluar ende.

Sipas kryedemokratit, të gjitha paratë për kompaninë, janë paguar. Mirëpo, puna nuk është aty ku duhet.

Ditën e djeshme, një grup deputetësh nga Komisioni Hetimor për inceneratorët, ka vizituar impiantin e përpunimit të mbetjeve në Tiranë. Ajo çfarë kanë gjetur aty, nuk ka qenë vetë impianti i përfunduar.

Basha përmendi se puna për këtë vendgrumbulli mbetjesh, është në gjysmë të punimeve, kur ato duhet të ishin të përfunduara. Sakaq, përpunim mbetjesh sipas tij, as që ka.

Një akuzë tjetër është hedhur edhe karshi Bashkisë Durrës.

Kreu i bluve, nënvizoi se 10 milionë euro, u janë dhënë kompanisë së inceneratorit të Tiranës nga Bashkia Durrës. Mirëpo, shërbim mbrapsht, nuk është marrë.

“Përgjegjës i gjithë kësaj, është kryeministri i vendit, Edi Rama”, vijoi Basha. “Sëndukun e parave të shqiptarëve, e hapi Edi Rama”.

Ndërkohë që, një pjesë e drejtuesve të kompanisë së inceneratorëve, janë vënë në kërkim ndërkombëtar.

Thirrja e kryedemokratit ka shkuar edhe për Prokurorinë e Posaçme SPAK, për të hetuar çdo aferë të këtij lloji.

Në burg për këtë çështje, ndodhet ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Dy persona të tjerë, janë shpallur në kërkim.

Por, sërish, kjo nuk është e mjaftueshme për zyrtarët e PD-së.

“SPAK mos të presë që të shkarkojë ministrin e radhës dhe më pas ta arrestojë. Edi Rama e ka bërë gati kurbanin e radhës për këtë aferë, me shpresën që të shpëtojë vetë. Por s’ka shqiptar që nuk e di që një skeme e tillë korruptive, nuk bëhej pa miratimin e tij”, nënvizoi më tej Basha.

Ndërsa, akuza, u hodhën edhe për sa i përket inceneratorit të Fierit, ku sërish sipas demokratëve, paratë janë paguar por shërbimi nuk është ofruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore