Lajme

Hepatiti misterioz i zbuluar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar po përhapet në vendet e Evropës


Rastet e hepatitit me origjinë të panjohur, të zbuluara për herë të parë tek fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar, tani janë regjistruar në katër vende të tjera evropiane dhe në SHBA, njoftoi të martën agjencia shëndetësore e BE-së.

Të premten Organizata Botërore e Shëndetësisë (PBSH), bëri të ditur se po monitoronte 84 raste të hepatitit të rëndë akut që u raportuan në Britani që nga 5 prilli dhe tha se priste më shumë raste në ditët në vijim.

Rastet tani janë regjistruar tek fëmijët në Danimarkë, Irlandë, Holandë dhe Spanjë, njoftoi Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) në një deklaratë të martën.

Nëntë raste të dyshuara janë regjistruar gjithashtu në shtetin amerikan të Alabamas.

“Hetimet janë duke vazhduar në të gjitha vendet që raportojnë raste. Aktualisht, shkaku i saktë i hepatitit tek këta fëmijë mbetet i panjohur”, bën me dije ECDC dhe përcjell Albanian Post.

Në shumicën e rasteve fëmijët nuk kishin temperaturë. Por disa nga rastet në Mbretërinë e Bashkuar ishin aq të rënda sa pacientët duhej të transferoheshin në njësitë e specializuara të sëmundjeve të mëlçisë për fëmijë, ndërsa gjashtë fëmijë kishin nevojë për transplantim të mëlçisë, njoftuan si OBSH ashtu edhe ECDC.

Infeksioni preku kryesisht fëmijët nën 10 vjeç dhe simptomat përfshinin verdhëzën, diarrenë, të vjellat dhe dhimbjet e barkut.

Viruset e njohura të hepatitit, nga A në E, zakonisht nuk gjenden tek fëmijët, kështu që autoritetet shëndetësore britanike kanë ekzaminuar një lidhje me viruset e zakonshme, ose shkaqe të tjera të mundshme si COVID-19, infeksione ose faktorë mjedisorë.

Për momentin, hetuesit dyshojnë se shkaku më i mundshëm është infeksioni, tha ECDC.

“Nuk u identifikua asnjë lidhje me vaksinën COVID-19 dhe informacioni i detajuar i mbledhur përmes një pyetësori për rastet në lidhje me ushqimin, pijen dhe zakonet personale nuk arriti të identifikonte ndonjë ekspozim të zakonshëm”.

Në Francë “dy raste të hepatitit akut, etiologjia e të cilit është ende e papërcaktuar janë raportuar nga Spitali Universitar i Lyonit” te fëmijët nën 10 vjeç dhe “aktualisht janë duke u hetuar”, njoftoi agjencia e shëndetit publik dhe përcjell Albanian Post.

Meera Chand, drejtore e infeksioneve klinike dhe emergjente në Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, një organ i mbrojtjes së shëndetit publik, tha të premten se “masat normale të higjienës” si larja e duarve “ndihmojnë në reduktimin e përhapjes së shumë prej infeksioneve që po hetojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore