Lajme

Haziri: LDK-ja do të propozojë draft për Asociacionin


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se do të propozojnë një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Pas pranimit të Asociacionit nga ana e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas Hazirit, duhet një dokument.

“Politikanët e përgjegjshëm dhe të suksesshëm në nevojë marrin vendime të vështira. Kryeministrat e kanë për detyrë të ndërmarrin vendime të vështira. Kurti e ka pranuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të zhvillohet. Duhet një dokument pavarësisht përmbajtjes së saj”, tha Haziri gjatë një interviste për Euronews Albanian.

Ai tutje ka sqaruar edhe përmbajtjen që do të ketë drafti që do të prezantohet nga LDK-ja.

“Ajo do të jetë një OJQ, e organizuar në formë alternative, sipas konventës europiane për qeverisjen lokale. Bashkëpunimi ndërkomunal dhe bashkëpunimi në kuadër të përvojave europiane nuk duhet të jetë pengesë në Republikën e Kosovës”.

Ndërsa, i pyetur nëse konsideron se kryeministri do e pranoj një draft-statut të hartuar nga LDK-ja ai u shpreh pesimist.

“Zoti Kurti nuk ka pranuar asgjë që LDK i ka ofruar. Ne i kemi ofruar platformën tonë negociatore dhe memoriaon dhe dijen institucionale që ne kemi në këto bisedime, kemi thënë zgjidh e merr si në tavolinën suedeze.

“Ai nuk ka pranuar asnjë iniciativë të LDK-së të opozitës së Kosovë, të kryeministrave të BE-së dhe të ndërkombëtarëve të tjerë e vazhdon të mos prodhojë dokumentet e tij si kërkesë. Jam i bindur se Zoti Kurti do i bëj dy hapa pas shpejt, por pasojat do të na lënë ne mbrapa”.

Më 22 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka identifikuar veten mbi bazën e kundërshtimit të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që prej kur u arrit Marrëveshja e Brukselit në vitin 2013, në intervistë për Radio Televizionin e Kosovës ai tha se edhe në këtë marrëveshje parashihet themelimi i këtij mekanizmi për serbët e Kosovës.

“Po, ka Asociacion [të komunave me shumicë serbe”, tha shkurt Kurti, duke iu referuar nenin 10 të Marrëveshjes për rrugën e normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku kërkohet që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në kuadër të dialogut.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Ndërkaq, autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë krijimin e një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore