Kosova

Haziri: Ftoj qytetarët të dalin të votojnë në këtë ditë të bardhë


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga familja e tij, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit.

Ai ka votuar në shkollën fillore “Abaz Ajeti”, në Gjilan.

Haziri pas procesit të votimit, para mediave ka ftuar të gjithë qytetarët e Gjilanit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Gjilanit dhe gjilanasit kudo që janë sot, të ndajnë pak kohë në këtë ditë të bardhë të nëntorit, dhe këtë të diel me gëzim dhe në mënyrë festive të dalin të votojnë”, ka thënë ai.

Haziri ka pasur edhe një apel për qytetarët e Gjilanit.

“Apeli im është që shfrytëzoni këtë ditë dhe këtë mundësi, dhe projektoni katër vjeteshin e ardhshëm për gjithë interesin tuaj, dhe besimi juaj shprehet vetëm me votë”.

Ndërsa, në Komunën e Gjilanit, gara zhvillohet mes Alban Hysenit nga LVV i cili në raundin e parë kishte marrë 19 mijë e 57 vota ose 44,71 për qind dhe Lutfi Hazirit nga LDK i cili kishte marrë 18 mijë e 546 ose 43,51 për qind.

Ndërkaq, në këtë raund të zgjedhjeve lokale, në 21 komuna ku do të zhvillohet balotazhi të drejtë vote kanë gjithsej 1 milion 260 mijë e 571 votues, apo 624 mijë e 887 votues më pak krahasuar me numrin e votuesve të certifikuar në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor në 38 Komuna të Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore