Sport

Hazard drejt rikthimit në Londër


Futbollisti i Real Madrid-it, Eden Hazard, ka thënë vazhdimisht se ëndërron rikthimin në Premier Leauge, aty ku kishte kaluar vitet më të mira të karrierës së tij me fanellën e Chelsea-t.

Që prej transferimit në Madrid nga Chelsea, dëmtimet e shumta bërën që Hazard të pësojë një rënie të madhe në karrierën e tij.

Nga transferimi prej një shifër prej 115 milionë eurosh, belgu tani as që diskutohet të jetë në formacionin titullar te klubi mbretëror.

Nga kjo situatë e krijuar, Hazard po kërkon me çdo kusht largimin nga Real-i, në mënyrë që të jetë sa më në formë para Kupës së Botës në Katar.

Megjithatë sa i përket rikthimit në Chelsea, situata është shumë e komplikuar, pas sanksioneve ndaj pronarit Roman Ambramovich.

Pikërisht për këtë arsye, Hazard po shqyrton alternativa të tjera dhe së fundi ka dalë në skenë klubi tjetër nga Londra, Arsenal-i.

Trajneri i tyre, Mikel Arteta, do të preferonte shumë belgun dhe do të mirëpriste në ekip një futbollist me cilësitë e eksperiencën e tij.

Marrëdhëniet mes dy klubeve janë mjaft të mira dhe drejtuesit e Arsenal-it janë ofruar ta marrin belgun në huazim për një vit, me të drejtë blerjeje në fund të sezonit tjetër.

Natyrisht që në Real janë të hapur për largimin e 31 vjeçarit, por ata preferojnë më shumë ta shesin, sesa ta japin në huazim.

Megjithatë në rast se ofertat për shitje do të mungonin, atëherë “Los Blancos” do të kënaqeshin më një huazim, të paktën të për t’u liruar nga paga e madhe që Hazard përfiton aty.

Kujtojmë që ai u transferua në Madrid në verën e vitit 2019 dhe që nga ajo kohë, Hazard ka zhvilluar vetëm 65 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e bardhë, prej të cilave ka shënuar gjashtë gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore