Lajme

Haxhiu: Shqetësuese që shumë pak institucione i njoftojnë qytetarët për të drejtat e tyre


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se është shqetësues numri i vogël i kërkesave për kompensim të viktimave të krimit dhe se sipas saj, ky fakt flet për mungesën e informacionit që viktimat e krimit kanë për të drejtat e tyre.

“Është shqetësuese që shumë pak institucione i njoftojnë qytetarët për të drejtat e tyre”, u shpreh Haxhiu.

Në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të “Javës për Viktimat e Krimit”, ministrja Haxhiu ka ftuar institucionet që të angazhohen t’i informojnë qytetarët për të drejtat e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket projektligjit, ministrja tha se i njëjti adreson zgjatjen e afateve dhe përmendi faktin se kërkesat janë të afateve të shkurtra.

“Kam thënë edhe në fillim të javës që organizime të tilla janë të rëndësisë së veçantë, për faktin se përmes tyre i kemi të qarta kompetencat tona si institucione dhe përmes tyre qytetarët e Republikës së Kosovës, informohen për të drejtat e tyre”, ka thënë ajo.

Por, përmendi faktin se llojet e dëmeve të kompensueshme janë ristrukturuar edhe në lartësitë e kompensimeve.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Ajo çfarë më ka shqetësu edhe kur i kemi nda statistikat me IKD, është numri i madh i rasteve që refuzohen”.

E njëjta theksoi faktin se duhet të jepen arsyet përse refuzohen këto raste dhe të jemi transparent dhe çka kompensohet për viktimat e krimit.

Si ministri, Haxhiu tha se e kanë ndër prioritetet kryesore parandalimin e tyre dhe janë fokusuar më shumë bazuar edhe në rregulloren e qeverisë, që të merren me dhunë në familje.

“Vetëm gjatë këtij viti, numri i rasteve të dhunës në familje arrin në 2 mijë”, shtoi ministrja.

Sipas saj, “kjo shifër është serioze dhe po merren me ndryshimin e ligjit për dhunën në familje, është shumë e rëndësishme që institucionet të punojnë në parandalimin e rasteve”.

Ndryshe, në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan- Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, në kuadër të “Javës për Viktimat e Krimit”, po diskutohet lidhur me gjetjet e raportit hulumtues “Sfidat e zbatimit të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore