Lajme

Haxhiu: Qeveria ka anashkaluar Skenderajn nga investimet kapitale


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar pasi Qeveria ka ndarë 59.5 për qind e investimeve kapitale për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Jugonostalgjikët e ri në Qeveri, vazhdojnë traditën e diskriminimit ndaj Drenicës. Qeveria Kurti anashkalon Skenderajn nga investimet kapitale. Buxheti 2024 i propozuar nga Qeveria Kurti 2, pasqyron me së miri dallimin dhe diskriminimin regjional dhe politik që po i bëhet Drenicës”, ka shkruar ai në Facebook.

“Sot emrat në Qeveri janë tjerë por nuk dallojnë asgjë nga mentaliteti, logjika dhe forma e veprimit si e kohës së Rankoviçit”, shtoi ai.

Ndarja 59.5 për qind e investimeve kapitale nga Qeveria e Kosovës për e komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje  – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime – ka ngjallur pakënaqësi tek kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Disa komuna, si ajo e Skenderajt, nuk kanë përfituar asnjë cent të vetëm nga këto investime dhe për nënkryetarin e kësaj komune, Sami Lushtaku, kjo s’është asgjë tjetër përveçse “hakmarrje ndaj drenicasve”.

“Albin Kurti është një kryeministër inatgji. Pasi i ka humbur zgjedhjet komunale bindshëm – është duke iu hakmarrë Drenicës. Jemi mësuar me hakmarrje, kështu na ka bërë edhe Serbia, kështu po vepron edhe Kurti”, tha Lushtaku për Albanian Post të hënën.

Përveç se nuk ka ndarë para për projekte të reja, Lushtaku tregon se qeveria ia stopoi edhe ato që tashmë ishin vendosur të bëheshin, siç është rasti me ujësjellësin.

Ndryshe, Gjilani edhe sivjet mbetet komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja, sipas institutit GAP, me investime në vlerë prej 6.3 milionë euro, apo rreth 29% të gjithsej investimeve të reja në komuna, ndërsa komuna e dytë me vlerën më të lartë është komuna e Shtimes, me investime të reja në vlerë prej 2.7 milionë euro, apo rreth 12.6% të gjithsej investimeve të reja.

Qeveria aprovoi Projektbuxhetin 2024 më 31 tetor 2023, ndërsa Kuvendi e aprovoi në lexim të parë më 16 nëntor 2023.

GAP: Qeveria e Kosovës ndau më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga LVV-ja

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore