Kosova

Haxhiu pas protestës: Koha e tradhtarëve po përfundon


Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, pas përfundimit të protestës së organizuar nga Organizata e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër qeverisë, ka thënë se koha “tradhtarëve po përfundon”.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Haxhiu – i cili ishte pjesë e protestës – theksoi se qeveria kuislinge e Albin Kurtit (Qeveri kuislinge, është ajo qeveri kukull që vihet në shërbim të pushtuesit. Termi kuisling e ka prejardhjen nga kryeministri norvegjez Vidkun Quisling, ai u vu në shërbim të udhëheqësit nazist gjerman, Adolf Hitlerit duke tradhtuar popullin norvegjez. Që prej vitit 1940 fjala kuisling në shumë gjuhë të botës është sinonim i tradhtisë së lartë ndaj atdheut) nuk mund ta sanksionojë Kosovën.

“Qeveria kuislinge e Kurtit nuk mund ta izoloj dhe sanksionojë Kosovën, nuk mund t’i diskriminojë luftëtarët e lirisë, veteranët e UÇK-së e te paguhet me taksat e qytetarëve të Kosovës”, shkroi ai në “Facebook”.

Koha e tradhtarëve, pohoi deputeti Haxhiu “dhe trushperlarëve po përfundon njëherë e përgjithmonë”.

Ndryshe, ka përfunduar e qetë dhe pa asnjë incident protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Qeverisë së Kosovës, pasi që me miratimin e Ligjit për Pagën Minimale, të njëjtit nuk u përfshinë.

Në këtë protestë – në të cilën ka pasur një numër të konsiderueshëm të qytetarëve – janë dëgjuar thirrje kundër Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, madje kanë kërkuar dorëheqjen e saj.

Image

Fillimisht para qytetarëve do të fliste Bajram Qerkinaj – kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve”.

Në fjalën e tij ai ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti se nuk po i mbështet veteranët e luftës së UÇK-së, duke shtuar se të njëjtit nuk e dinë se çfarë është liria dhe se të njëjtit vetëm gënjejnë.

“Nuk mundesh me i rrejt ata që i ke rrejt para dy vjetësh. Edhe ata janë mbush mend me e ditë kush është Albin Kurti”.

“UÇK, Liri, ju jeni liria e Kosovës. Flisni fort e flisni çlirë. Unë shoqatën e dëshmorëve, veteranëve e luftës janë edhe dëshmorë edhe më të mëdhenj…. Krejt Kosova është për liri. Kush është ai që s’i përkrah. O ju që po na udhëheqin, ku jeni more? Ku jeni more për këtë popull?”.

Para protestuesve të mbledhur në sheshin “Skënderbe”, ka folur edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Avni Ajeti, duke thënë se nuk e kishin menduar që pas 25 vitesh do të duhej të dilnin për të kërkuar liri dhe të drejta.

“Kush e kishte menduar se pas 25 vite pas luftës, do të dilnim këtu për të kërkuar liri dhe të drejtat tona. Ato po na mohohen, jo nga regjimi i (Sllobodan) Millosheviç-it, por nga qeveria për të cilën dhamë gjithçka që kishim tonën”.

“Por dita paska ardhë. Sot kemi ardhë para qeverisë së Kosovës së pavarur, qe e çliruam me gjakë e sakrificë, e në të cilën hala po veten kriminelët serb që na vrasin e na rrahin policët në Veri”, pohoi ai.

Ne edhe sulmet e befasishme të armikut, tregon Ajeti “i kemi kthyer në kundërsulme”, duke shtuar se “andaj jemi këtu që me fjalë të lirë t’i japim përgjigje këtij trajtimi të padinjitetshëm që po i prek kufijtë e tradhtisë”, theksoi Ajeti.

Protestën e kanë mbështetur edhe disa nga partitë opozitare.

Aty janë parë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, Ganimete Musliu, Rashit Qalaj.

Përveç tyre, prezent ka qenë edhe kryetari i Nismës Social-Demokrate, Fatmir Limaj.

Përfundon protesta e veteranëve të UÇK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore