Lajme

Përfundon protesta e veteranëve të UÇK-së


Ka përfunduar e qetë dhe pa asnjë incident protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Qeverisë së Kosovës, pasi që me miratimin e Ligjit për Pagën Minimale, të njëjtit nuk u përfshinë.

Në këtë protestë – në të cilën ka pasur një numër të konsiderueshëm të qytetarëve – janë dëgjuar thirrje kundër Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, madje kanë kërkuar dorëheqjen e saj.

Image

Fillimisht para qytetarëve do të fliste Bajram Qerkinaj – kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve”.

Në fjalën e tij ai ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti se nuk po i mbështet veteranët e luftës së UÇK-së, duke shtuar se të njëjtit nuk e dinë se çfarë është liria dhe se të njëjtit vetëm gënjejnë.

“Nuk mundesh me i rrejt ata që i ke rrejt para dy vjetësh. Edhe ata janë mbush mend me e ditë kush është Albin Kurti”.

“UÇK, Liri, ju jeni liria e Kosovës. Flisni fort e flisni çlirë. Unë shoqatën e dëshmorëve, veteranëve e luftës janë edhe dëshmorë edhe më të mëdhenj…. Krejt Kosova është për liri. Kush është ai që s’i përkrah. O ju që po na udhëheqin, ku jeni more? Ku jeni more për këtë popull?”.

Para protestuesve të mbledhur në sheshin “Skënderbe”, ka folur edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Avni Ajeti, duke thënë se nuk e kishin menduar që pas 25 vitesh do të duhej të dilnin për të kërkuar liri dhe të drejta.

“Kush e kishte menduar se pas 25 vite pas luftës, do të dilnim këtu për të kërkuar liri dhe të drejtat tona. Ato po na mohohen, jo nga regjimi i (Sllobodan) Millosheviç-it, por nga qeveria për të cilën dhamë gjithçka që kishim tonën”.

“Por dita paska ardhë. Sot kemi ardhë para qeverisë së Kosovës së pavarur, qe e çliruam me gjakë e sakrificë, e në të cilën hala po veten kriminelët serb që na vrasin e na rrahin policët në Veri”, pohoi ai.

Ne edhe sulmet e befasishme të armikut, tregon Ajeti “i kemi kthyer në kundërsulme”, duke shtuar se “andaj jemi këtu që me fjalë të lirë t’i japim përgjigje këtij trajtimi të padinjitetshëm që po i prek kufijtë e tradhtisë”, theksoi Ajeti.

Protestën e kanë mbështetur edhe disa nga partitë opozitare.

Aty janë parë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, Ganimete Musliu, Rashit Qalaj.

Përveç tyre, prezent ka qenë edhe kryetari i Nismës Social-Demokrate, Fatmir Limaj.

“Mimozë, a të kallëzoi Radojiçiç se ku janë të zhdukurit e luftës”, nis protesta e veteranëve

“Mimozë, a të kallëzoi (Milan) Radojiçiç se ku janë 1600 të zhdukurit e luftës”.

Kjo është një nga pankartat që po e mbajnë qytetarët që po protestojnë në protestën e thirrur nga shoqëria civile dhe Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kundër Qeverisë së Kosovës, kjo pas publikimeve të audio-incizimeve ku dëgjohet kryeshefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke koordinuar politikat shtetërore me kriminelin dhe terroristin Milan Radoijçiç.

Nis protesta e veteranëve të UÇK-së

Në qendër të Prishtinës ka filluar protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kundër Qeverisë së Kosovës.

Përveç veteranëve, ka pjesëmarrje të konsiderueshme të qytetarëve të tjerë, si dhe të përfaqësuesve të partive politike opozitare.

Kjo protestë, fillimisht është thirrur nga shoqëria civile, që është përkrahur nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, me qëllim të kundërshtimit të “koordinimit të qeverisë më Milan Radojiçiç-in” – pas publikimit të audio-incizimeve ku dëgjohet kryeshefja e deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke bashkërenduar politikat shtetërore me kriminelin dhe terroristin Radojiçiç.

Përveç kësaj, arsye tjetër për të protestuar kanë thënë se është edhe “kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, kjo pasi që mazhoranca në seancën e së enjtes miratoi Ligjin për Pagën Minimale, në të cilin u lanë jashtë veteranët e UÇK-së.

Në protestë janë parë flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, flamuj kombëtar, të Kosovës, si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore