Lajme

Haxhiu: Byroja do të bëhet, dërgimi i ligjit në Kushtetuese ka për qëllim zvarritjen e reformave


Ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu

Pas dërgimit të projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu ka reaguar duke thënë se gjatë kësaj periudhe janë mbajtur takime për hartimin dhe harmonizimin e projektligjit mbi të cilën “Byroja do të merrte jetë”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ministrja konsideron se reformat e drejtësisë kanë marrë drejtimin e duhur.

“Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime për brenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve”.

“Byroja do të bëhet. Drejtësia do të triumfojë”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, “dërgimi i Ligjit për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese, ka për qëllim zhagitjen e reformave”.

Ajo tutje ka theksuar se projektligji është dërguar edhe në Komisionin e Venecias.

“Për të qenë edhe më korrekt, pas kërkesës së opozitës dhe para miratimit në parim, projekt-ligjin e dërguam edhe në Komisionin e Venecias si institucionin më kredibil për demokraci nëpërmjet ligjit. Pasi kaloi të gjitha hallkat e verifikimit më në fund u soll në Kuvend për t’u votuar në leximin përfundimtar”. “

“Nuk ka institucion më të lartë në kontinentin tonë për të shuajtur dilemat e opozitës sesa Komisioni i Venecias. Madje edhe vet Gjykata Kushtetuese në rastet sidomos më komplekse, konsultohet me Komisionin e Venecias”.

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike të Kosovës.

Kështu të paktën ka bërë të ditur, Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit të Qeverisë së Mirë në PDK, në një përgjigje për Betimin për Drejtësi.

Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar.

Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, projektligji nuk procedohet nga ana e Kuvendit për shpallje tek Presidentja e Republikës së Kosovës, pasi ajo dërgohet në Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore