Shqipëria

Hasani uron Kosovën pas rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së pro anëtarësimit të saj


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka përgëzuar Kosovën për një arritje tejet të rëndësishme, ku Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka vendosur pro anëtarësimit të saj në organizatë.

Përmes një komunikatë në X, ish-Twitter, Hasani shkruan se ky është një çast historik për Kosovën.

“Rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimi i Kosovës është një njohje e progresit dhe potencialit të saj”, shkruan kryediplomati shqiptar.

Ai shprehet më tej se ky është një hap vendimtar drejt një bashkëpunimi më të madh, stabilitetit dhe prosperitetit për popullin e Kosovës.

“Është një dëshmi e përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave evropiane”, përmbyll Hasani. “Ndalesa tjetër: Komiteti i Ministrave!”.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro raportit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Para miratimit të raportit, Asambleja Parlamentare e KiE-së, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Serbia.

Për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap: votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se jemi edhe një hap larg anëtarësimit.

“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti ka theksuar se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, potencoi ai.

“Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve”, përfundoi Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore