Lajme

Hasani për marrëveshjen për të pagjeturit: Serbia shfajësohet


Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një prononcim për Televizionin 7, duke komentuar miratimin e deklaratës për personat e pagjetur në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka renditur dy problemet kryesore që ka kjo marrëveshje.

Fillimisht ai pohoi se përmes kësaj marrëveshje “Kosova barazohet me Serbinë”, ndërsa sipas tij e dyta është se Kosova nuk ka ekzistuar si shtet para 2008-s “dhe nuk mund të marrë përgjegjësi për atë se çfarë ka ndodhur”.

“Në aspektin ndërshtetëror ajo deklaratë ka dy defekte jashtëzakonisht serioze pasi më ka çudit nga ata që eventualisht mund ta këshillojnë Kurtin, po flas për vendorët jo për ndërkombëtarët”, tha ai.

Ai po ashtu foli edhe për përkthimet që po bëhen që në marrëveshje flitet për persona të zhdukur me dhunë, dhe jo siç shkruhet në dokument persona të zhdukur me forcë, por sipas Hasanit nuk mund të këtë disa interpretime.

“Këtu tragjedia është se unë këtu kam filluar që ti shoh barazimet të termave juridike me gjuhën shqipe, që janë standarde dhe që nuk kanë kuptime tjera përveç atyre që ekzistojnë, në këtë rast neni 2 i konventës ndërkombëtare për personat e zhdukur forcërisht”.

Ndërsa, profesori i të drejtës ndërkombëtare nënvizoi se përmes kësaj marrëveshje është larguar përgjegjësia nga shteti serb.

“E para, është çështja e rezervës ju e dini se është thanë se është marrëveshja e dy Gjermanive, apo qasje. Hija në mes të dy Gjermanive. Atëherë ka pasur rezerva, Gjermania e sotme dhe prej natyrës e shoh rezervën që e ka bërë Vuçiç-in për largimin e përgjegjësisë së shtetit”, potencoi ai.

Gjithashtu, ai edhe e përshëndeti këtë marrëveshje pasi se siç tha “është mirë që është bërë, pasi që është një plagë që po na shoqëron ndër vite”.

Ndryshe, këtë të marte është publikuar nga Bashkimi Evropian deklarata e marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe tashmë është bërë e qartë se Kosova ka hequr dorë nga termi “persona të zhdukur me dhunë”, term që njihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe përmes së cilës terminologji familjarët e viktimave do të mund të kërkonin dëmshpërblim.

Marrëveshja iu referohet personave të zhdukur në luftën e fundit vetëm si Persona të Pagjetur, përveç në një vend ku thuhet “personat e zhdukur me forcë” që në anglisht është “forcibly disappeared”, çka përbën dallim nga sa ka dashur Kosova të jetë që ishte “enforced disappearance”.

Në fakt, termi “persona të zhdukur me dhunë (enforced disappearance)” ishte thënë nga pala serbe se është larguar, qysh kur u arrit pajtimi për marrëveshje në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç, por qeveria e Kosovës kishte deklaruar se është vetëm propagandë serbe dhe se termi ka mbetur.

Deklarata zyrtare e publikuar nga BE, tashmë qartëson se terminologjia zyrtare do të jetë Persona të Pagjetur.

Kurti ka hequr dorë nga termi “të zhdukur me dhunë”: Kjo është deklarata e plotë e Marrëveshjes Kosovë – Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore