Lajme

Haradinaj vlerëson se koalicioni AAK-NISMA është “shpresa e vetme” kundër “qeverisë anti-shtet”


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të shtunën, vlerësoi se koalicioni opozitar para-zgjedhor është “shpresa e vetme” kundër “qeverisë anti-shtet” në sytë e qytetarëve, ndërsa shtoi se situata e krijuar kërkon “mobilizim të gjithmbarshëm” për ta kthyer vendin drejt rrugës së zhvillimit dhe integrimit.

“Bashkimi ynë opozitar, dita-ditës po shihet nga qytetarët si e vetmja shpresë për t’i dhënë fund qeverisë anti-shtet. Situata e krijuar në vend, kërkon mobilizim e bashkim të gjithëmbarshëm për ta kthyer Kosovën drejt rrugës së zhvillimit dhe integrimit, në bashkëpunim me miqtë tanë që na ishin pranë në momentet më të vështira”, shkroi kreu i AAK-së në një postim të fundit.

Ndryshe, partitë politike kanë filluar të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Kosovës nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësinë e zgjedhjeve përgjatë këtij viti nuk e kanë përjashtuar as akterë të partisë në pushtet.

Kjo nuk është hera e parë që AAK dhe NISMA hyjnë bashkë në garë zgjedhore. Dy partitë më të vogla në vend për nga numri i votuesve patën nënshkruar koalicion parazgjedhor edhe në vitin 2017 të cilit iu bashkua pastaj edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Ky koalicion doli fitues i zgjedhjeve parlamentare, ndërsa Haradinaj u zgjodh kryeministër i vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore