Lajme

Haradinaj: Të rikthehet në kuvend procedura për ligjin e pagave, Sali Zyba është sekser klasik


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media ka kërkuar nga Qeveria që ta rikthejë në parlament procedurën për ligjin e pagave.

“Kërkojmë nga Qeveria ta rikthejë procedurën, ta amandamentojë aty ku ka pasur vërejtje, ta kthejë në parlament, t’i japim përkrahje këtij ligji në një mënyrë jo vetëm për mjekët dhe policët por për të gjithë zyrtarët publik”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka përmendur sërish deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba të cilin e ka quajtur sekser klasik, i cili sipas Haradinajt mori përsipër trafikimin e votave.

“Zotëri Zyba ka kontaktuar me deputetët tonë, ka kërkuar që edhe unë të takohem me të por përgjigja ime ka qenë se nuk dua të takohem me të sepse është një sekser klasik që në emër të partisë së tij ka marrë përsipër trafikimin e votave”, u shpreh Haradinaj.

Po ashtu, ai tha se edhe vendimi i deputetes Albena Reshitajt për të marrë pjesë në seancë ditën kur u votua presidentja, është pjesë e këtij procesi të trafikimit të votave.

“Ne e shohim vendimin e deputetes Reshitaj si pjesë të këtij procesi të trafikimit të votave për zgjedhjen e presidentes dhe nuk na vjen mirë”, ka thënë Haradinaj.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka thënë se “i kërkojmë dhe i sugjerojmë Qeverisë të vazhdojë me rregullimin e pagave të këtij ligji me një listë koeficientësh të zbuluara, pra të mos mbyllen koeficientët për shkak se mbyllja e tyre do të ulte transparencën”.

Ai tutje theksoi se që në programin qeveritar të Qeverisë së re, “AAK kërkon të inkorohet buxhetimi i këtij ligji dhe këto amandamentime të cilat sugjerohen në vendimin e Gjykatës Kushtetuese janë relativisht të sakta, prandaj duhet të inkorporohen në ligj dhe të vihen në Kuvend”.

“Me këtë proces Qeveria do ta ketë mbështetjen e grupit parlamentar të AAK-së”, përfundoi Tahiri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore