Lajme

Haradinaj: Rreshtohemi krah shteteve të lira e demokratike, përjetuam të njëjtin agresion si Ukraina


Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se janë të rreshtuar në krah të shteteve demokratike në mbështetje të popullit të Ukrainës.

Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se dokumentari “20 ditë në Mariupol”, përshkruan krimet ruse ndaj popullatës së qytetit industrial dhe portit të rëndësishëm të Ukrainës, Mariupol.

“20 ditë të shtetrrethimit të qytetit ukrainas Mariupol, të filmuara nga gazetari Mstyslav Chernov, janë pjesë e një maratone 20 ditëshe të një populli të pafajshëm për t’i shpëtuar vdekjes, të zënë befas nga një luftë e papritur, si dhe e pakuptimtë”.

“Ne si popull që përjetuam të njëjtin agresion, jemi të rreshtuar krah shteteve të lira e demokratike, në mbështetje të popullit ukrainas në luftën e tyre të drejtë mbrojtëse!”, ka shkruar ai.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kishte pohuar se vendi që ajo drejton ka qenë dhe do të mbetet “mbështetëse e fuqishme e lirisë, sovranitetit dhe të drejtës së Ukrainës, kundrejt një fqinji agresive e gjenocidal”, kjo pas agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë.

Ndërkaq, sa i përket narracionit të Rusisë, e cila po merr shembull Kosovën për të arsyetuar luftën në Ukrainë, ajo deklaroi se “duhet të refuzohet nga të gjithë dhe askush s’duhet të bije në këtë kurth të [presidentit rus, Vladimir] Putinit”.

Që nga fillimi i agresionit rus, Kosova ka qenë në krah të Ukrainës, duke strehuar disa gazetarë ukrainasë e duke iu bashkangjitur sanksioneve të perëndimit ndaj Rusisë.

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit në qytetet ukrainase.

Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet ndaj aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore