Lajme

Haradinaj, Qeverisë Kurti: Mashtruat për buxhet e propaganduat për punësime – veç shpenzuat për dreka e udhëtime zyrtare


Ramush Haradinaj

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria e Kosovës po i mashtron qytetarët sa i përket situatës ekonomike, kryesisht në raport me buxhetin e shtetit, përfshirë edhe çështjen e punësimeve.

Haradinaj nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka rënditur disa numra, që sipas tij, janë shifra që vënë në pah manipulimet dhe propagandën e qeverisë, e cila drejtohet nga kryeministri Albin Kurti.

“Kështu p.sh., qeveria ka paraparë që për vitin 2022 t’i shpenzojë rreth 3 miliardë e 159 milionë euro, por i ka shpenzuar vetëm 2 miliardë e 625 milionë. D.m.th. i kanë tepruar hiç më pak se 533 milionë e 862 mijë euro, pjesa më e madhe prej të cilave në investimet kapitale”, shkroi Haradinaj.

“Me buxhetin e vitit 2022, për investime kapitale ishin paraparë 698 milionë euro e janë realizuar 422 milionë. Dmth 280 milionë më pak. Për dy vjet kësaj qeverie i kanë mbetur të pashfrytëzuara 478 milionë, vetëm nga investimet kapitale”, shtoi ai.

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, këto shifra tregojnë se është investuar më pak, është punuar më pak, është fituar më pak. Gjithçka më pak, theksoi ai, vetëm se qytetari është varfëruar më shumë.

“Këto 478 milionë të taksapaguesve nuk u janë kthyer atyre, por janë ruajtur në ‘bunkerin financiar’ të qeverisë dhe kjo në kohën më të keqe, jo vetëm për shkak të krizës ekonomike sociale, por edhe të inflacionit që ka mbërritur në pothuaj 20 përqind”, vazhdoi tutje ai.

Për të qenë tabloja edhe më e zezë, tregoi ndër të tjera ai, prej këtyre 422 milionëve të investimeve kapitale, rreth 24 milionë janë pagesa ndëshkimore pa kurrfarë përfitimi, ngase 88 milionë avanse për punë që as që kanë filluar, 16 milionë për mirëmbajtje dhe 17 milionë  për ndërtesa administrative.

“D.m.th rreth gjysma e kësaj shume (diku rreth 210 milionë) të investimeve kapitale, janë sikur të mos kishin ndodhur fare sepse s’kanë patur asnjë efekt në zhvillimin ekonomik”, shkroi kreu i AAK-së.

Ai në postimin e tij të gjatë përmendi edhe disa fakte sa i përket fushës së punësimit.

“Me Ligjin per Buxhetin 2022 janë paraparë që në sektorin publik mund të figuronin 87 mijë e 311 të punësuar, kurse për këtë vit kanë qenë 7225 veta më pak, nga sa lejonte buxheti. Kjo do të thotë se kjo qeveri nuk e ka realizuar planin e punësimit as aq sa ia lejonte buxheti i paraparë”.

“Këta edhe fondin e pagave e kanë pasur për 8 milionë euro më pak se në vitin 2020. Por kjo është shuma nominale, sepse nëse asaj ia kalkulojmë rritjen e çmimeve dhe inflacionin për vitin 2021 dhe 2022, del se të punësuarit në sektorin publik për vitin 2022, në vlerë reale janë paguar përreth 100 milionë më pak”, shtoi ai.

Haradinaj nënvizoi se përveç që ekzekutivi s’ka shpenzuar aq sa e ka pasur buxhetin dhe aq sa ka paraparë, ajo ka shënuar dështime edhe në grumbullimin e buxhetit, duke shtuar se nga të hyrat e parapara buxhetore për vitin 2022, në shumë prej mbi 3 miliardë eurosh, janë realizuar 382 milionë më pak.

“Është e pakuptueshme se si i ka dalë kjo matematikë qeverisë, sepse krahasuar me vitin paraprak, importet për vitin 2022 janë rritur për afro një miliard, kurse eksportet përreth 165 milionë”, potencoi ai.

Më tej, ai ka bërë me dije se Qeveria Kurti ka shënuar rritje të shpenzimet në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, por edhe në shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit dhe për dreka zyrtare.

“Janë rritur shpenzimet në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, prej 280 milionë sa ka qenë në vitin 2021 në 333 milionë në vitin 2022; Shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit prej 3 milionë e 182 mijë eurosh sa ka qenë në vitin 2020, janë rritur në 8 milionë e 185 mijë në vitin 2022”.

“Janë rritur edhe udhëtimet brenda vendit, nga 1 milionë e 73 mijë euro për vitin 2020 në 2.199 mijë; Karburantet për vetura zyrtare nga 6 milionë e 613 mijë në 2020 janë rritur në 11 milionë e 342 mijë euro në 2022. Edhe drekat zyrtare poashtu”, përfundoi ai.

Ndryshe, opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore