Lajme

Haradinaj: Qasja e gabuar e Qeverisë ka bërë që kriminelët të organizohen në banda


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas tri vrasjeve që ndodhën brenda gjashtë ditëve në Kosovë, duke thënë se siguria publike po rrezikohet nga banda të armatosura.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se vendi është duke u përballur me sfida të shumta të sigurisë.

“Krahas qasjes së gabuar politike të qeverisë në Veri të vendit e cila ka reflektim serioz edhe në siguri, lloje të ndryshme të krimit e sidomos ato të rënda siç janë vrasjet, lëndimet e rënda trupore, armët pa leje, prezenca e madhe e narkotikëve, janë disa nga aktivitetet e kundërligjshme të cilat po e cenojnë seriozisht jetën e qytetarëve”.

Kreu i AAK-së potencoi se që nga shpallja e pavarësisë, “institucionet e sigurisë kanë punuar me shumë përkushtim në avancimin e sigurisë publike duke hartuar dhe implementuar shumë strategji nacionale, plane konkrete operative të cilat mbi të gjitha kishin për qëllim parandalimin efikas të krimit dhe dukurive të ndryshme negative në shoqëri”.

“Nga viti ne vit efikasiteti i Policisë së Kosovës prekte direkt ndjenjën e sigurisë së qytetarëve duke reduktuar në masë të madhe krimin në përgjithësi, e në veçanti vrasjet dhe krimet e rënda”.

Ndërkaq, ish-kryeministri i Kosovës theksoi se qasja “e gabuar e Qeverisë dhe e Ministrisë së Punëve të Brendshme duke zhvendosur elementin kyç në shoqëri, sigurinë publike, brenda agjendës së saje puro politike, kanë bërë që elementet me prirje kriminale të organizohen në banda të cilat sot cenojnë të pa penguara jetën e qytetarëve”.

“Fatkeqësisht siguria publike ne vend, tashmë është duke u sfiduar nga banda të armatosura të cilat nuk zgjedhin as cak e as vend për të terrorizuar qytetarët”.

Vrasjet e ditëve të fundit, pohoi ai, “përfshirë edhe vrasjen e një shtetasi të huaj, janë treguesi më i mirë për pasigurinë dhe kërcënimin që ju kanoset qytetarëve si në rrugë, ashtu dhe në ambiente publike, lokale hoteliere e gjetiu”.

“Mungesa e vizionit dhe përkushtimit të qeverisë e MPB, ngritë dyshime të shumta se ky nivel i lartë i cenimit të sigurisë publike dhe neglizhenca institucionale për të parandaluar këto lloje të krimeve nga të cilat çdo ditë është duke u tronditur vendi, ka për qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga skandalet dhe aferat e shumta korruptive të qeverisë, ku së fundmi u mësua edhe për planifikim të kontrabandës ndërkombëtare me armë nga ana e sekserëve të afërt me qeverinë”, beson ai.

Duke folur për rastin e së mërkurës në Skenderaj, ku u shfaqën persona me maska, e që për pasojë një person mbeti i vrarë dhe u plagosën tre të tjerë, sipas tij “nxjerr në pah pafuqinë e qeverisë si dhe guximin e grupeve kriminale për të vepruar”.

“Objektivisht qytetari ka mbetur i pa mbrojtur, i pa përkujdesur nga kjo qeveri e cila ka mungesë të madhe profesionale për të trajtuar çështje komplekse siç është siguria”.

Si përfundim, Haradinaj potencon se “kjo qeveri do të mbahet përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend”, duke shtuar se “mocioni është zgjidhja”.

Ndryshe, vetëm brenda këtij muaji tre persona janë vrarë në Kosovë nga të shtënat me armë zjarri.

Tri ditë më parë një person u vra në Klinë, ndërsa më 5 gusht pas përplasjeve fizike dhe të shtënave me armë zjarri një person është vrarë dhe 17 të tjerë janë lënduar në lokalin ‘Bon Vivant’ në Prishtinë.

Kurse njëri nga të dyshuarit për përfshirje në incident mësohet të jetë i kërkuar edhe nga FBI-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore