Lajme

Haradinaj: Lidhja e Pejës tregoi se shqiptarët mund të ndërtojnë unitet kombëtar për të mbrojtur tokat e tyre


Ish kryeministri i Kosovës dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar 23 janarin si ngjarje të rëndësishme në historinë e Kosovës.

Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se Lidhja e Pejës tregoi se shqiptarët mund të ndërtojnë “unitet kombëtar”.

“Kjo besëlidhje, tregoi se shqiptarët janë të aftë të ndërtojnë unitetin kombëtar për të mbrojtur tokat e tyre. Akti i Besëlidhjes së Pejës ilustron patriotizmin dhe aftësinë për të përballuar sfidat për hir të Atdheut”.

Ai ka kujtuar edhe heroin Isa Boletini, duke e përshkruar si një “udhëheqës dhe mbrojtës së pavarësisë së vendit”.

“Fjala e tij, “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia,” shpreh besnikërinë dhe dashurinë ndaj Atdheut. Isa Boletini, si komandant i çetave, jo vetëm që ka qenë një lider popullor, por gjithashtu një burim frymëzimi për ata që vlerësojnë lirinë dhe Atdheun”.

Nga 23 deri me datën 29 janar të vitit 1899, në Pejë ishte mbajtur Kuvendi Kombëtar Shqipëtar “Lidhja e Pejës”, i cili mblodhi përfaqësues shqipëtarë të Vilajeteve të Kosovës, Manastirit dhe të Janinës.

Në fund të shekullit 19-të tokat e banuara me shqiptarë u vunë përsëri në rrezik kur fqinjët ballkanikë të shqiptarëve filluan aktivisht të ndeshen për të marrë pjesë nga territori i Maqedonisë, kontest që do të shpinte drejt Luftërave Ballkanike.

Aty morën pjesë rreth 500 përfaqësues nga shumë vise shqiptare.

Territori i Kontestueshëm përfshinte edhe katër vilajetet shqiptare.

Patriotët shqiptar filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re për t’iu bërë ballë këtyre rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896.

Takimi i parë u mbajt në mars 1897 në Gjakovë kur u krijua Besëlidhja Shqiptare.

Në nëntor u mbajt edhe një takim tjetër në Pejë ku morën pjesë 500 veta pas së cilës Stambolli intervenoi dhe shpërndau Besëlidhjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore