Kosova

Haradinaj: Kurtin do ta mbështesim fuqishëm për temat e interesit nacional


Daut Haradinaj, anëtar i kryesisë së AAK-së

Refuzimi i kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar me presidentin serb Aleksndër Vuçiç me 11 maj, është cilësuar nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, si një “veprim i drejtë”, por kjo nuk do të thotë që AAK-ja e ka ndërmend të bëhet pjesë e ekipit të Kurtit në bisedime.

Ishte thjesht mbështetje për një vendim të duhur, prandaj edhe është përkrahur, ka thënë për Albanian Post, Daut Haradinaj, anëtari i kryesisë së AAK-së.

”Çdo kryeministër deri tani, po ashtu edhe zotëri Kurti do të ketë fuqishëm mbështetjen tonë për temat e interesit nacional”, ka deklaruar Haradinaj në një përgjigje me shkrim për AP.

Por, siç thotë Haradinaj, nëse në të ardhmen Kurti do të operojë gabimisht dhe dialogu merr kahje në dis-favor të Kosovës, atëherë me të njëjtin intensitet AAK-ja do ta kundërshtojë.

“Do të kundërshtohet me të gjitha mjetet e mundshme demokratike, nëse ky dialog devijon përsëri”.

Ramush Haradinaj në një status në Facebook ishte deklaruar se qëndrimi i drejtë i Kurtit konsiston pikërisht në faktin që nuk u bë pjesë e praktikës së deritanishme në Bruksel ku “dakordimet Bruksel – Beograd e nxjerrin Kosovën para aktit të kryer”.

Kjo, siç shkruan Haradinaj, “nuk do të pranohet asnjëherë nga Kosova”.

Një tjetër kërkesë e vazhdueshme e AAK-së ka qenë përfshirja më intensive e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut.

Prandaj, Daut Haradinaj, thotë se për AAK-në është “shqetësuese mospërfshirja direkte e SHBA-ve në këtë proces”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore