Lajme

Haradinaj kujton të rënët në masakrën e Studimes: Plagët s’mbyllen pa u ndëshkuar krimet


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar martirët e rënë në masakrën e Studimes së Vushtrrisë.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se plagët e popullit janë ende të freskëta dhe nuk mund të mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet.

“Në 24-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë me përulje martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltarë të lirisë së vendit tonë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse aspironin lirinë e vendit”.

“Nuk do të ndalemi derisa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka shkruar ai.

Në dy majin e vitit 1999, paramilitarët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë këtu edhe një nënë shtatzënë.

Të martën e 2 majit janë bërë 24 vjet qëkur forcat kriminale serbe vranë shqiptarë të pafajshëm në Studime të Vushtrrisë.

Brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serbë 116 persona civilë që ishin në kolonë për t’u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë, shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore