Lajme

Haradinaj: “Fuqinë e drejtësisë së NATO-s e përjetoi edhe populli i Kosovës”


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar ditëlindjen e 74 të NATO-s.

Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Haradinaj ka thënë se fuqinë e paqes së kësaj aleance politiko-ushtarake, e ka përjetuar edhe Kosova.

“Aleanca më e fortë politiko-ushtarake në botë, që mbron lirinë, demokracinë, paqen dhe sigurinë jo vetëm në Amerikën Veriore dhe Evropë por në tërë globin, sot shënon ditëlindjen e 74-të”.

“Fuqinë e drejtësisë së kësaj Aleance të madhe, e përjetoi edhe populli i Kosovës, në momentet më vendimtare të historisë së tij për çlirim, për çka jemi mirënjohës përgjithmonë”.

Më tej Haradinaj ka përmendur kontributin e forcave të armatosura të Kosovës në misione ndërkombëtare paqëruajtëse.

“Ne jemi kontribues me Ushtrinë tonë, në misione ndërkombëtare paqeruajtëse të kësaj Aleance. Si popull i lirë me orientim të natyrshëm euro-atlantik, ne synojmë që të jemi pjesë e barabartë e aleancës së shteteve të NATO-s, udhëhequr nga ShBA-të. Besoj shumë që Kosova e ka vendin në NATO, për të qenë krah miqve tanë për ta ndihmuar paqen dhe lirinë”, ka përfunduar Haradinaj.

Përderisa NATO kremton 74-vjetorin e themelimit, përgatitet që të pranojë anëtaren e re Finlandën si anëtare e 31-të të Aleancës.

Flamuri i anëtares së re, Finlandës, në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), e themeluar më 4 prill 1949 pas Luftës së Dytë Botërore, do të ngrihet në selinë e NATO-s pas përfundimit të procedurave zyrtare.

Aplikimi për anëtarësim i qeverisë së Finlandës së bashku me Suedinë në NATO, pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, e cila vendosi të braktisë neutralitetin e saj dhe të bëhet anëtare e NATO-s me arsyetimin se kishte një ndryshim në arkitekturën e sigurisë evropiane, u miratua nga parlamentet e 30 vendeve aleate.

Së fundmi Hungaria dhe Turqia në kuvendet përkatëse miratuan protokollet e aderimit të Finlandës, kështu që Finlanda përveç procedurave zyrtare të fundit ka përfunduar të gjitha fazat e anëtarësimit. Me këtë NATO në përvjetor do të hyjë duke vazhduar politikën e dyerve të hapura.

Zgjerimi i 9-të i NATO-s

NATO e cila ndjek politikën e dyerve të hapura, do të zgjerohet për të 9-n herë në historinë 74-vjeçare. Aleanca e formuar me 12 anëtarë në vitin 1949, pret të pranojë anëtaren e 31-të.

Në Aleancën e krijuar me nënshkrimet e SHBA-së, Belgjikës, Britanisë, Danimarkës, Francës, Holandës, Italisë, Islandës, Kanadasë, Luksemburgut, Norvegjisë dhe Portugalisë, në vitin 1952 iu bashkuan Turqia dhe Greqia.

Gjermania u bashkëngjit në vitin 1955, Spanja në 1982 dhe Çekia, Hungaria dhe Polonia në vitin 1999.

Në zgjerimin e vitit 2004, në Aleancë u bashkëngjitën Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, kurse në vitin 2009 Shqipëria dhe Kroacia, 2017 Mali i Zi si dhe në 2020 Maqedonia e Veriut.

Finlanda nga ana tjetër, aleati i fundit pritet që nesër zyrtarisht të shpallet anëtare e NATO-s dhe flamuri i saj të ngrihet në selinë e NATO-s.

Politika e dyerve të hapura bazuar në nenin e 10-të

NATO ndjek një politikë të dyerve të hapura bazuar në nenin 10-të të marrëveshjes themeluese. Sipas kësaj Aleanca, hap dyert e saj për një vend evropian që mund t’i përparojë parimet e marrëveshjes së NATO-s dhe është në gjendje të kontribuojë në sigurinë e rajonit të Atlantikut të Veriut.

Zgjerimi i NATO-s, nga ana tjetër, mund të ndodhë vetëm me miratimin e të gjithë vendeve aleate. NATO thekson se në zgjerimin e Aleancës nuk do të lejohet që të ndërhyjë asnjë palë përveç shtetit që dëshiron të bëhet anëtare.

NATO gjithashtu tërheq vëmendjen se procesi i zgjerimit të saj nuk përbën kërcënim për asnjë vend. Theksohet se zgjerimi synon të mbështesë stabilitetin dhe bashkëpunimin dhe të ndërtojë një Evropë të bashkuar e cila është e plotë dhe e lirë, në paqe dhe demokraci.

Përveç Suedisë edhe 3 vendeve tjera iu dha perspektiva e anëtarësimit

Edhe fqinji i Finlandës, Suedia kishte aplikuar në maj të vitit 2022 për anëtarësim. Përkundrazi, jo të gjithë anëtarët kanë miratuar anëtarësimin e Suedisë. Që t’i hapet rruga e anëtarësimit Suedisë, duhet që kuvendet e Turqisë dhe Hungarisë të miratojnë protokollet e aderimit të saj.

Turqisë thekson se Suedia në periudhën e fundit hedh hapa për të luftuar organizatat terroriste si PKK/YPG dhe FETÖ, duke theksuar se këto janë të pamjaftueshme. Gjithashtu thuhet se qeveria hungareze ka probleme me qëndrimin e Suedisë për çështje të tilla si sundimi i ligjit dhe demokracia në Hungari.

Përveç Suedisë edhe vende tjera dëshirojnë anëtarësim në NATO. Prej tyre, Ukraina shpeshherë ishte pjesë e rendit të ditës në vitet e fundit. Qeveria e Ukrainës kur filloi lufta me Rusinë theksoi kërkesën e tyre për t’u bërë sa më shpejt anëtare e NATO-s.

Në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 ishte vendosur që përveç Ukrainës edhe Gjeorgjia të bëhet pjesë e NATO-s në të ardhmen, por në këtë fazë anëtarësimi i këtyre dy vendeve duket larg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore