Lajme

Haradinaj: Figura e Nënë Terezës është frymëzim për mbarë botën


Ramush Haradinaj dhe Imzot Dodë Gjergji

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se figura e Shenjtores Nëna Terezë, “bijës së kombit shqiptar, mbetet frymëzim për mbarë botën”.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj theksoi se “përkushtimi i saj në mbrojtje të jetës njerëzore duhet të na shërbejë secilit prej nesh si udhërrëfyes në punët tona të përditshme”.

Këto komente ai i bëri pasi që mori pjesë në akademinë solemne me rastin e ditëlindjes së Nënës Terezë, e cila u organizua nën përkujdesjen e ipeshkvit të Dioqezës Prishtinë-Prizren, Imzot Dodë Gjergji.

“Me krenari kujtuam trashëgiminë e jashtëzakonshme që la ajo pas, si një simbol i krenarisë kombëtare dhe botërore dhe tregues se edhe një popull i vogël jep figura të mëdha”.

“Të lartësuara qofshin gjithmonë emri dhe veprat e saj!”, përfundoi ai.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës mori pjesë në hapjen solemne të edicionit të tretë të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”, dhe po ashtu ka bërë edhe homazhe tek shtatorja e “Nënës Terezë”, që përkon me 113 vjetorin e lindjes së humanistes shqiptare.

Në fjalën e tij, kreu i ekzekutivit kosovar fillimisht theksoi se 26 gushti i këtij viti “na ka bashkuar sot në qendër të Prishtinës dhe na ka mbledhur këtu në sheshin ‘Nënë Tereza’, për më tepër pranë shtatores së Nënë Terezës, për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor ‘Drita e Gonxhes’”.

Pas kësaj Kurti foli për biografinë e Nënë Terezës.

Kurti potencoi se 26 gushti është data e saj e lindjes, kurse 27 gushti është data e pagëzimit të saj nga Don Zef Ramaj.

“Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ka lindur sikur sot, plot 113 vite më parë, më 1910 në Shkup, atë botë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës. Ishte vajza e Nikollë Bojaxhiut, i lindur në Prizren në një familje të ardhur nga Fani i Mirditës dhe i nënës Drane Barnaj nga Novosella e Gjakovës”, pohoi ai.

Kreu i ekzekutivit nënvizoi se Nënë Tereza ishte “vajzë shqiptare e një patrioti, e cila lindi në periudhën osmane dhe që ishte fëmijë kur vendi i saj u pushtua nga fqinjët, gjatë Luftës së Parë Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore”.

“Pas vdekjes së babës Kolë kur ajo ishte pothuajse 9 vjeçare, Anjeze Bojaxhiun e rriti nana Drane, sikur edhe vëllaun dhe motrën e saj, Lazërin dhe Agen”.

Ai pohoi se figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre.

Kurti për Nënë Terezën: Fjalët e saj janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore