Lajme

Haradinaj: Buxheti i 2024-ës është rritja më e vogël që nga çlirimi i vendit


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalimin e tij në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka kritikuar buxhetin e ndarë nga ekzekutivi për vitin 2024.

Sipas tij, ky buxhet është rritja më e vogël që është bërë nga çlirimi i Kosovës.

“Rritja nominale prej vetëm 100 milionë euro, praktikisht është zvogëlim real i buxhetit, kur marrim parasysh shkallën e inflacionit, këtë vit dhe vitin që vjen. Kjo është rritja më e vogël që nga çlirimi i vendit, rritja e vlerës së koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro, nuk është rritje e as harmonizim, por zvogëlim real i pagave”, ka thënë Haradinaj.

Ai tutje ka shprehur brengën e tij për disa kategori të cilat janë anashkaluar sërish.

“Shqetësuese është nënçmimi që iu bëhet disa kategorive, si Policia e Kosovës, shëndetësia, drejtësia e të tjerë të dëmtuar nga Qeveria, nga mohimi i pagesave për rrezikshmëri dhe punë shtesë të garantuara me ligjin në fuqi”.

Haradinaj, është treguar kritikues edhe sa i përket shpenzimeve që janë bërë për investime kapitale, duke thënë se përveç bartjes së këtyre investimeve për vitin 2024, asgjë tjetër nuk është bërë.

“Invesitimet kapitale të shtuara vetëm 48 milionë, nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik, praktikisht janë stagnim kur marrim parasysh që 19 për qind e projekteve të parapara për realizim në vitin 2023, nuk janë realizuar por barten në vitin buxhetor 2024”.

Sa i përket projekteve kapitale, ai ka thënë se janë projekte të parealizuara të tri vjetëve të fundit e që janë bartur për 2024.

“Ndërsa, mbi 80% e projekteve kapitale të listuara që në buxhetin po e shqyrtojmë sot janë projekte të parealizuara në tri vjetet e fundit e të barta për vitin 2024, dështimet në realizimin e investimeve kapitale në vitin 2021 me shumën 200 milionë euro.

“Pastaj në vitin 2022 rreth 300 milionë euro dhe sipas ecurive të paraqitura në ankordin e thesarit për 9 muajt e këtij viti që gjithsej bëhen mbi 800 milionë euro, praktikisht paraqesin humbjen e plotë të buxhetit të paraparë për investime kapitale për vitin që po vjen 2024”.

Haradinaj ka theksuar se ndihmën e tyre si opozitë do ta ofrojnë përmes “amendamenteve”, për që “janë duke e dëmtuar shumë vendin”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka prezantuar para deputetëve projektbuxhetin e vitit 2024 që është votuar nga Qeveria në vlerë prej 3.3 miliardë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore