Shqipëria

Hapja e kufijve/ Greqia zgjedh Maqedoninë e Veriut dhe jo Shqipërinë


Greqia ka njoftuar sot më 14 maj, hapjen e kufirit me Maqedoninë e Veriut, si dhe vazhdimin e masave me Shqipërinë.

Kalvari i masave vijon që prej nëntorit të vitit 2020, kur pala greke e ka rikthyer disa herë.

Deri më 24 maj, dogana e Kapshticës do të funksionojë me të njëjtat rregulla. Nga ora 06:00 deri në 22:00, mund hysh drejt Shqipërisë.

Brenda 24 orëve në Kakavijë drejt Greqisë lejohet kalimi i vetëm 400 personave, rezidentë ose me leje, sigurisht me testin anti-Covid-19.

Fillimisht masat nga pala greke u ndërmorën, për shkak të ndalimit të përhapjes së Covid-19, pas shtimit të rasteve çdo ditë e më shumë te të dyja vendet fqinje.

Ky vendim ngjall pikëpyetje, pasi më 19 prill, Greqia hapi sezonin turistik për 30 vende të ndryshme dhe jo për Shqipërinë.

Hapja e kufijve u bë për vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli dhe shtetet fqinje Serbi dhe Maqedoni e Veriut.

Duke parë kurbën e rasteve të infektimeve me Covid-19, Shqipëria është e para për rastet më të ulëta, me një mesatare katër herë më e ulët se ajo e Maqedonisë së Veriut.

Albanian Post (AP) kontaktoi me Ambasadën e Greqisë, këtu në Tiranë, për ta pyetur mbi arsyet e këtij vendimi. Sipas saj, vendimi është 10-ditor dhe do të rishqyrtohet.

“Hapja e kufijve me vende të caktuara do të vendoset në faza të ndryshme dhe varet gjithashtu nga politika përkatëse e vendosur në nivelin e BE-së”, shkruhet në përgjigjen e Ambasadës greke për AP-në.

Ndërkohë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), në reagimin për AP-në mbi çështjen, theksoi se “Greqia është një shtet sovran dhe ka të drejtën e plotë të vendimmarrjes”.

Gjithashtu, MEPJ-ja sqaroi se vende të ndryshme ndjekin këtë politikë për arsye tregtare dhe jo vetëm.

Situata e vaksinimit në të dyja vendet

Shqipëria renditet e dyta, pas Serbisë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ritme shumë të ulëta në këtë drejtim kanë pasur Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Ajo e ka filluar vaksinimin më 11 janar, në të njëjtën ditë kur në Aeroportin Ndërkombëtar Rinas mbërritën 975 vaksina anti-Covid.

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut mbetet shumë mbrapa me vaksinimin e popullatës. Deri më tani raportohet të jenë administruar 74 mijë e 76 doza të vaksinave Covid.

Sezoni turistik në Greqi

Autoritetet greke më herët kanë njoftuar se do të heqin kufizimet në udhëtimet mes rajoneve. Gjithashtu edhe se do të shfuqizojnë metodën e aplikimit online për të dalë nga shtëpia.

Këtë konfirmoi zëvendësministri grek, Akis Skertsos, të mërkurën e 12 majit, gjatë një konference për pandeminë.

Sipas tij, të gjithë ata që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, duhet të sigurojnë një certifikatë vaksinimi, testin PCR- negativ, testimin e shpejtë, ose vetëtestimin. Kjo është e nevojshme 72 ose 24 orë para udhëtimit

Gjithashtu, Skertsos shpjegoi se përgjegjëse për të kontrolluar pasagjerët do të jenë kompanitë ajrore dhe tragetet, nëse janë të pajisur me dokumentacionin e lartpërmendur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore