Sport

Hansi Flick i thur elozhe Muller-it: Kurrë nuk do të ketë njeri si ai


Thomas Muller është lojtari me më shumë trofe në historinë e lojtarëve gjermanë. Lojtari i Bayern Munich-ut dhe Kombëtares së Gjermanisë ka 29 trofe në karrierë.

Hansi Flick, ish-trajneri i Bayern Munich-ut dhe që, së shpejti, do të marrë drejtimin e Kombëtares së Gjermanisë nuk ka ngurruar për t’i thurur elozhe 31-vjeçarit, që u bashkua me Bayern-in në vitin 2000, kur ishte vetëm 10 vjeç.

Sipas trajnerit gjerman, “nuk ka asnjë lojtar tjetër që i afrohet Muller-it, kur analizon dhe shfrytëzon hapësirat”.

“Thomas nuk bën gjithmonë gjithçka siç duhet në lojë, por ai u jep shumë më tepër për t’u entuziazmuar”, tha Flick për “51”, revistën e Bayern-it.

“Ju nuk mund ta kuptoni gjithmonë stilin e tij të lojës, por nuk mund të përcaktoni edhe rëndësinë e asaj që ai sjellë në klub”.

“Ai është gjithmonë pozitiv, ka energjinë e një 18-vjeçari dhe nxit të gjithë lojtarët. Asnjëherë nuk do të ketë njeri si ai”, tha ish-ndihmësi i Joachim Low-it dhe fituesi i Kupës së Botës në 2014.

“Mund t’i hiqni kapelen për atë që ai ka arritur në karrierën e tij, është unike. Nuk do të ketë kurrë askënd si ai. Ai gjithmonë jep gjithçka. Për më tepër, ai është me këmbë në tokë dhe një djalë me të vërtetë i mirë”, shtoi fituesi i shtatëfishtë me Bayern-in.

Muller-i ka luajtur 616 ndeshje me Bayern Munich-un, duke shënuar 230 gola. Me Gjermaninë ka luajtur 101 ndeshje dhe ka shënuar 38 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore