Gjykata Speciale

Halitjaha në Speciale: Unë e mbajë burgun për Jakup Krasniqin, të lirohet ai


Jakup Krasniqi dhe Sadik Halitjaha.

Dëshmitari Sadik Halitjaha, në Gjykatën Speciale gjatë dëshmisë së tij ka treguar gatishmëri që ta mbajë burgun në vend të ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi nëse ky i fundit ka ndonjë faj.

Kërkesë e Halitjahës, ka qenë që ai të lirohet në shtëpi.

“Dua të flas për Jakup Krasniqin, nëse Jakup Krasniqi ka bërë gabime, ka mundësi çdo njeri bën gabime, engjujë askush s’jemi, por nëse ai ka bërë faj unë të gjitha do t’i marrë përsipër vetëm ndërro vendimet”.

“Unë e mbajë burgun e Jakup Krasniqit, të lirohet ai”, tha Halitjaha.

Këtë deklaratë Halitjaha e ka bërë gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e Rexhep Selimit.

Ai më pas është marrë në pyetje edhe nga avokati i ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Ben Emmerson i cili e ka pyetur atë për disa dokumente që janë hartuar nga ai.

“Shikojmë, në rend kronologjik se plani në të majtë përshkruhet në fund që i takon periudhës përpara konferencës së Rambujesë, sigurisht kjo ka qenë çështje e raportit publik megjithatë besoj që është rënë dakord mes palëve. A është e saktë që më 6 shkurt ka filluar konferenca e Rambujesë?”, ka thënë Emmerson.

Halitjaha, tutje e ka kritikuar avokatin Emmerson për mos-shqiptimin e emrit të tij në mënyrë të duhur.

“Nëse s’keni harruar zotëri Emmerson, unë ju thërras mirë në emër ju s’mund të ia qëlloni mbiemrit dhe emrit tim. Unë kam qenë nga gjysma e dhjetorit, deri më 15 janar në shtab të përgjithshëm dhe ishte shef Adem Grabovci, pastaj ka munguar s’ka qenë fare aty dhe unë kam qenë aty deri më 15 janar kur kishte nisur masakra e Reçakut”.

Halitjaha, është duke e vazhduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale për të dytën herë më radhë, një ditë më herët në Speciale kishte deklaruar ish udhëheqësi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefqet Kabashi në seancë të mbyllur.

Halitjaha: Urdhrat nuk vinin as nga Thaçi dhe as nga të tjerët, Shtabi i Përgjithshëm ka qenë thuajse fiktiv

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore