Lajme

Halimi, Qeverisë: Dini të bëni vetëm propagandë e videoklipe


Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosangazhimin e saj ndaj masave për energji elektrike.

Halimi përmes një shkrimi në rrjetin social ka thënë se në vend të punës po veprohet në mënyrë tjetër.

“Veçse, për diçka të tillë, kërkohet edhe punë; ndërkohë që kryeministri dhe qeveria e tij dinë të bëjnë vetëm propagandë e videoklipe!”, ka shkruar ajo.

“Në vend se të angazhohen për të marrë masa për të kontraktuar energji – sidomos tani kur çmimi i saj në bursë ka rënë ndjeshëm; ministrja dhe e gjithë qeveria duarkryqe, konstatojnë në vend se të veprojnë”.

Sipas Halimit, do të duhej të bëhej një zgjidhje më e duhur për taksat e qytetarëve.

“Taksat tona në arkën e shtetit, në vend se të zhvlerësohen muaj pas muaji nga inflacioni enorm, do të vlenin më shumë si investim në kapacitete prodhuese apo kontraktim energjie në bursë, që qytetarët tanë të mos mbesin në terr”.

Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, gjatë raportimin në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, të martën, nuk ka përjashtuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike pas rënies së temperaturave.

Sipas Rizvanollit, si rrjedhojë e motit të mirë është ulur edhe kërkesa për energji elektrike dhe një gjë e tillë ka ndikuar edhe në uljen e çmimit të rrymës në tregjet ndërkombëtare.

Por, po ranë temperaturat, ka gjasë rriten çmimet.

Rizvanolli ka raportuar para Komisionit Parlamentar për të arsyetuar propozim-vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë, për çka kërkoi nga Komisioni miratimin e këtij propozimi.

Ministrja më tej gjatë raportimit ka bërë të ditur se aktualisht jashtë funksionit është njësia A5 e termocentralit Kosova A, e cila sipas saj nuk do të kthehet në funksion para vitit të ri.

Kosova si shumica e vendeve evropiane ka pasur problem në furnizim me energji elektrike, por ndryshe nga të gjithë të tjerët ka përjetuar reduktime.

Për shkak të mos sigurimit të sasisë së mjaftueshme dhe prishjeve të vazhdueshme në termocentrale, energjia elektrike reduktohej në intervale të ndryshme kohore.

Ishin paralajmëruar reduktime edhe më të shpeshta në të hyrë të dimrit, por temperaturat – befasisht – të larta kanë ulur kërkesën për energji elektrike dhe rrjedhimisht kanë mundësuar furnizim të rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore