Lajme

Hajdari deklarohet pas intervistimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës


Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, pas përfundimit të deklaratës në Prokurorinë Speciale të Kosovës, tha se nuk është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, por për legjislacionin në fuqi për rezervat shtetërore.

“Kjo kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi që është Ligji për Rezervën Shtetërore, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ligjet tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet që kanë nevojë t’i marrin”, u shpreh ajo.

Autoritetet e Kosovës arrestuan tre persona në gusht të vitit të kaluar nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore – vaji dhe gruri i paguar për rezervat shtetërore nuk mbërriti kurrë në Kosovë – ndërsa të njëjtit u liruan më vonë për t’u mbrojtur në liri.

Ndryshe, dyshimet për keqpërdorimin dhe abuzimin e rezervave shtetërore u ngritën pas disa audio-incizimeve, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it duke thënë se vaji i paguar në Poloni nuk iu bashkua rezervave shtetërore – njësoj ndodhi edhe me një pjesë të grurit dhe sheqerit të paguar.

Në bazë të dosjes së Prokurorisë Speciale të Kosovës, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për mbushjen e rezervave shtetërore, vaji, gruri e sheqeri nuk kanë ardhur asnjëherë në Kosovë dhe rrjedhimisht, buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore