Lajme

Hagë: Me një maj, vazhdon seanca ndaj Pjetër Shalës


Pas pyetjeve të prokurorëve nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar, pyetje për dëshmitarin e tetë këtë të enjte ka shtruar edhe avokati mbrojtës i Pjetër Shalës.

Ai kërkoi nga dëshmitari që të konfirmonte kohën kur babai i tij e kishte mësuar emrin e Pjetër Shalës. Kjo, pasi që sipas avokatit, dëshmitari ndryshe kishte deklaruar në prokurori para një viti e ndryshe deklaroi sot në seancë.

“A ju kujtohet që të kanë marrë kolegët hetues të ZPS-së vitin e kaluar në pyetje? A ju kujtohet që të kesh dhënë një informacion tjetër lidhur me atë që ka qenë burim tjetër dhe kohë tjetër se babai e ka mësuar emrin e Pjetër Shalës?”, pyeti avokati dëshmitarin.

“Jo, nuk e kam thanë”, u përgjigj ai.

“Deklarata e mëparshme e dëshmitarit, po e lexoj”, thotë avokati.

“Më vonë, më vonë, në Kosovë ndenji vetëm dy javë, por më vonë e dëgjoi emrin, pra këta emra i mësova nga babai, ishte pas vitit 1999”.

“Jeni dakord me mua, a konfirmoni se këtu bëhet fjalë për incidentin e vitit 1998 dhe për Petër Shalën?”, pyeti avokati.

Më pas seanca kaloi në versionin e mbyllur për publikun, me rekomandim të krye gjyqtares, në mënyrë që të sqaroheshin detajet dhe të mos publikoheshin ato.

Dëshmia e dëshmitarit të tetë përfundoi pas më shumë se katër orësh intervistim.

Krye gjyqtarja bëri të ditur se gjykimi ndaj Pjetër Shalës, me dëshmitarë të tjerë d të filloj më 1 maj nga ora 9:30.

____________________________________________________________________________________________________

Dëshmitari 8 në rastin e Pjetër Shalës: “Babain tim e kanë rrahë me shkop gome, hekuri e druri, ia kanë pre me brisk lëkurën”

Dëshmitari i tetë i intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë në rastin e Pjetër Shalës, pretendon se babai i tij u maltretua nga Shala në fabrikën e metalit në Kukës.

Ai ka treguar se në vitin 1998 ai dhe familja e tij janë larguar nga fshati ku kanë jetuar pasi që katër persona kishin shkuar për ta kërkuar babanë e tij.

“Që ta marrin me vete. Të dorëzoj armët dhe ta marrin me vete”, u ka thënë ai të pranishmëve në seancën gjyqësore këtë të enjte.

Dëshmitari i cili nuk ishte prezent kur janë zhvilluar këto ngjarje në familjen e tij, thotë se një nga katër personat ishte identifikuar nga nëna e tij.

“Nëna e ka identifikuar me emrin Hamëz, mbiemrin nuk ja di, por nëna e ka identifikuar”.

“Ata kanë thënë se kanë ardhur nga shtabi Jabllanicë. Nga Shtabi i UÇK-së në Jabllanicë. Në Jabllanicë e kanë marrë urdhrin që të vinë aty te ne. Hamza ka thënë, që më ka treguar nëna, se unë skam qenë aty”, vazdon dëshmitari.

Më tej ai ka treguar se babai i është “kidnapuar nga katër persona dhe është dërguar në një kamp në Kukës”.

“Nga kidnapimi aty është identifikuar një person, nga ata të katër që kanë qenë aty, atë e ka njohur vëllai i madh, ndërsa personat e tjerë nuk i kane njohur. Dhe është dërguar në një kamp të vogël njëherë para se të shkojë në Kukës. Ka pas kërcënime gjatë rrugës dhe kështu që e kanë dërguar më vonë edhe në Kukës”.

“Çfarë kërcënimesh?”, e pyeti prokurorja.

“Kërcënuar me vrasje, se cili do ta bëj nga ata dhe kështu që ju ka thënë, djemtë e kanë njohur njërin nga ju e ju cili të doni bëjeni”.

Në pyetjen e prokurores se çfarë i kishte treguar babai i tij, për përjetimet në Kukës, dëshmitari tha se e ka dëgjuar vetëm një herë, sepse nuk ka mundur ta dëgjojë më shpesh.

“Nuk kam mundur ta dëgjoj shpesh herë, por një herë më ka tregu se është keqtrajtuar mizorisht atje. Ka tregu që e kanë rrahë me shkopa gome, hekuri, druri, ia kanë pre me brisk lëkurën, e kanë rrahë deri në alivanosje. Disa herë”.

Sipas këtij dëshmitari, babai i tij, në Kukës ka identifikuar tre nga katër personat që e maltretonin.

“I ka përmend tre persona të cilat ai ka arritur me i identifiku 100%, Sabit Geci, Gjemshit Krasniqi e Pjetër Shala”.

Gjatë qëndrimit në fabrikën e metalit në Kukës, dëshmitari tregon se babai i tij kishte biseduar me Pjetër Shalën disa herë”.

“Gjithmonë Pjetër Shala e ka hap bisedën me të, edhe i ka thënë ‘pse e ke kërkuar diku tjetër atë që ta ka gjuajt kafen’. Ne e kishim një lokal atje. ‘Unë isha ai që ta kam gjuajtur kafen’. Ai vetë e ka pranuar atë. Ai i ka thënë ‘unë isha ai që ta kam gjuajtur kafen’ dhe ‘unë isha ai që isha te shpija te ti, e pse nuk dole jashtë kur isha unë aty?’. Ai vet e ka pranuar këtë”, deklaron dëshmitari.

Ndër të tjera ai ka treguar se familja e tij ishte maltretuar edhe më herët nga këta persona.

“Incidenti i par ka ndodhur në vitin 1996. Pjetër Shala, ai ia ka thanë vetë babait ‘unë ta kam gjuajt kafen me revole’”, thotë ai.

_______________________________________________________________________________________

Dëshmitari i 7-të në rastin e Pjetër Shalës: Mbetëm pa punë për shkak të babait që u torturua në Kukës

Është duke vazhduar seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Dhomat e Specializuara, këtë seancë gjyqi, e nisën me dëshminë e lënë përgjysmë një ditë më parë të dëshmitarit të shtatë i cili kishte deklaruar se babai i tij ishte rrahur e torturuar në fabrikën e hekurit në Kukës.

Duke u përgjigjur në pyetjet e njërit nga gjyqtarët e trupit gjykues, dëshmitari 7 tha se ai dhe vëllezërit e tij nuk kishin perspektivë në Kosovë pas rastit që i ndodhi babait të tij.

“Perspektiva është që s’kemi pas marrëdhënie pune, vëllai i madh ka qenë në polici, deri në 2006-2007, pastaj është largu sepse e ka ndjerë veten jo të sigurt”, ka thënë ai.

“Ai ka punuar 6 apo 7 vite në polici, nuk jam i sigurt”.

“Kam qenë edhe unë në polici, më ka dal emri që jam pranuar, pastaj e kanë tërhequr”, ka treguar ai, duke e lidhur me babanë e tij faktin që mbeti i pa punë ai dhe familjarët e tij.

“Po qashtu, kur të del emri e ta tërheqin, ka dal emri e ka pa edhe vëllai i madh e pastaj e kanë tërheqë emrin publikisht se kush është pranuar”, ka vazhduar ai më tej.

Një ditë më parë, dëshmitari 7 ka deklaruar para trupit gjykues se babai i tij, komandant i policisë në një stacion policie në Kosovë para luftës, është marrë nga disa persona dhe është dërguar në fabrikën e metalit në Kukës ku është rrahur e torturuar.

“Pasi është kthyer babai nga Shqipëria, babai ka treguar se e kanë kidnapuar në Shqipëri, e kanë dërguar në një fabrikë metali në Kukës, torturuar, rrahur dhe personat disa i njeh disa jo. Por aty e ka zbuluar se në sulmin e shtëpisë ka qenë edhe Pjetër Shala, por ka edhe emra të tjerë që ja kanë bërë maltretimet e rrahjet”, ka thënë ai.

Duke shtuar se ata kanë qenë të armatosur, me maska, kapele dhe të uniformuar.

Pjetër Shala, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare t ë Kosovës

Pjetër Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge.

Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore