Gjykata Speciale

Hagë: Dëshmitari serb tregon se si u rrah nga UÇK për 56 ditë


Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke u intervistuar dëshmitari me kodin 03540, në rastin e katër ish – krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke iu përgjigjur prokurorit, ai ka deklaruar se si rojtar pylli, ishte ndaluar nga ushtarë të UÇK-së dhe ishte rrahur e maltretuar për 56 ditë, me urdhër të Latif Gashit.

Sipas prokurorit të specializuar, dëshmitari, këtë deklaratë e ka dhënë edhe në vitin 2002, 2003 dhe 2009, pa specifikuar se për cilën gjykatë bëhet fjalë.

Ai pretendon se urdhri për dhunë i erdhi nga Latif Gashi, por që nuk e kishte dëgjuar vetë.

“Jo asgjë, ata hynë në dhomë, unë isha ulur në gjunjë dhe filluan të më binin mbrapa me shkop gome dhe ‘kontakët e pushkëve’, por e kam dëgjuar zërin e Latif Gashit. Nuk e kam kuptuar se çfarë ka thënë sepse nuk flas shqip, por e kam dëgjuar një person duke thënë ma lini mua këtë ta vras, t’ia q** nënën serbe, këtë e di. Sigurisht që ka dhënë urdhër sepse ishim aty unë dhe Sabit Berisha”, ka deklaruar dëshmitari këtë të hënë.

Më pas atij i është prezantuar një dokument nga prokurori, në të cilin thuhet se shkruan procesi i lirimit të tij, më 26 tetor të vitit 1998.

“Po kjo është e saktë që u lirova por nuk e kam nënshkruar unë dhe nuk e di se kush e ka nxjerrë këtë dokument”.

Në pjesën hyrëse të kësaj letre shkruan se ky dokument është lëshuar nga një degë e Punëve të Brendshme në Podujevë.

Dëshmitari ka refuzuar të tregoj se ishte takuar me ndonjë polic serb në atë kohë dhe se nuk ishte në gjendje të fliste me askë, për shkak të gjendjes së rëndë fizike e psikike.

“Të nesërmen doli në medie se si unë kam ikur nga UÇK, por unë nuk kam asnjë lidhje me këtë”.

“Pothuajse nuk dija asgjë për veten, aq isha i sëmurë. Aq isha në gjendje të keqe fizikisht saqë nuk isha në gjendje t’ia jap dikujt këtë dokument. Nuk e di se kush e ka shkruar këtë dokument”, ka deklaruar ai.

Më pas ai ka treguar se mori trajtim mjekësor në një institucion shëndetësor në Prekuple të Serbisë.

Në një pjesë të këtij dokumenti përshkruhet edhe gjendja e tij shëndetësore si “burimi vuan ende nga probleme nervore dhe ka lëndime të rënda në brinjë dhe në veshkë, ende nuk i besohet që e kanë liruar”, të cilin e ka konfirmuar dëshmitari si të vërtetë.

I pyetur se përse nuk kishte treguar se ishte keqtrajtuar nga Latif Gashi e Nuredin Ibishi, ai deklaroi se ”e kisha harruar në atë kohë shumë gjëra dhe akoma nuk isha plotësisht i ndërgjegjshëm, kisha pasur shumë trajtime mjekësore, pak më vonë kur e morra veten u kujtova për komandantët”, tregon ai në seancë.

Prokurori ka kërkuar që dokumentet e prezentuara në këtë seancë gjatë intervistimit të dëshmitarit të tetë, të merren “si prova në rast dhe kanë natyrë konfirmuese sa u takon provave të tjera në këtë rast”.

Dëshmitari që aktualisht po intervistohet nga Prokurori i Specializuar në Hagë, ishte banor i Podujevës dhe i punësuar në po këtë qytet.

Ai, më tej ka treguar se dokumentin e lirimit e ka nënshkruar pasi që ishte i kërcënuar me vdekje.

“Më dhanë një letër për lirimin, më thanë që ta nënshkruaja, që nuk do të shkelja më në Kosovë, që nuk më kishin rrahur dhe nuk më kishin maltretuar, tre herë më tha Latif Gashi dhe më tha që nëse nuk e firmos do të të vrasim. Isha në pozitë të keqe, mbase bëra gabim që e nënshkruajta, por doja të jetoja”, thotë ai.

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, deri tani janë dëgjuar tetë dëshmitarë.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar. Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II.

Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023. Në këtë çështje janë 140 viktima pjesëmarrëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore