Sport

Haaland bën të ditur destinacion e preferuar për të


Erling Braut Haaland është një ndër emrat më të përmendur në merkaton e futbollit, tash e disa vite.

Dhe, norvegjezit i kanë mbetur edhe gjashtë muaj te Dortmund-i, sipas të gjitha gjasave.

Klauzola në kontratën e Haaland me Borussia Dortmund, e lejon atë që të largohet në fund të këtij sezoni për shifrën e 70 milionë eurove.

Duke e parë këtë shifër, thuajse të gjitha skuadrat e mëdha po mundohen të përfitojnë.

Duke filluar nga Anglia, Spanja, Italia e madje edhe Franca, të gjithë janë të interesuar të sigurojnë shërbimet e Haaland-it.

Pagesa e 70 milionë eurove nuk do të jetë problem, por dëshira e Haaland po.

Është e vërtetë që një numër i madh klubesh është i interesuar për shërbimet e Haaland, por nuk dihet se në cilat klube është i interesuar norvegjezi.

Siç raporton Goal, Haaland është shumë i tërhequr nga klubet angleze për shkak të stilit të lojës që po e posedojnë së fundmi, dhe rëndësisë së madhe që ka liga.

Por, Haaland dëshiron edhe që të jetë pjesë e El Clasico-s. Duke marrë parasysh faktin që Barcelona nuk është në gjendje të mirë financiare që të nënshkruajë me Haaland, atëherë në garë mbetet vetëm Real Madrid-i.

Dhe, sipas Goal, madrilenët janë pikërisht destinacioni i preferuar i Haaland, dhe të luajë me Mbappe-n aty nuk paraqet fare problem për norvegjezin.

Anglia apo Madrid-i, duket se zgjidhjet e Haaland janë limituar te këto dy destinacione. Kanë mbetur vetëm edhe gjashtë muaj të kuptohet se ku do luajë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore