Lajme

Gropa 25 metra e gjerë në një zonë minierash në Kili nën hetim


Në Kili, autoritetet po hetojnë një gropë me diametër rreth 25 metra që u shfaq gjatë fundjavës në një zonë minierash.

Kanë qenë mediat vendase që kanë shfaqur imazhe të gropës në tokë të minuar nga Lundin Mining, një kompani kanadeze, rreth 665 kilometra në veri të kryeqytetit, Santiago.

Sernageomin, shërbimi kombëtar i gjeologjisë dhe minierave, mësoi për gropën të shtunën dhe dërgoi personel të specializuar në zonë, sipas drejtorit të agjencisë David Montenegro.

“Ka një distancë të konsiderueshme, afërsisht 200 metra, deri në fund. Nuk kemi zbuluar ndonjë material atje poshtë, por kemi parë praninë e shumtë të ujit”, ka treguar ai.

Lundin Mining, përmes një deklarate, ka treguar se gropa nuk preku asnjë punonjës apo anëtarë të komunitetit dhe se kishte “mbetur e qëndrueshme” që kur u zbulua për herë të parë.

“Me zbulimin, zona u izolua menjëherë dhe u njoftuan autoritetet përkatëse rregullatore. Nuk ka pasur asnjë ndikim në personel, pajisje apo infrastrukturë”, ka vijuar deklarata.

Kompania ka treguar gjithashtu se një analizë teknike ishte duke u zhvilluar për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.

“Shtëpia më e afërt është më shumë se 600 metra larg, ndërsa çdo zonë e populluar ose shërbim publik është pothuajse një kilometër larg zonës së prekur”, ka shtuar ajo.

Sakaq, Lundin Mining zotëron 80 për qind të pronës. Pjesa tjetër mbahet nga Korporata Sumitomo e Japonisë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore