Lajme

“Grenelli s’ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë Kurti 1, atë e rrëzoi vetë kryeministri”


Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka mohuar se ka qenë kërkesë e ish-emisarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, drejt LDK-së, për rrëzim të Qeverisë Kurti 1.

Ai ka thënë se ka qenë vetë Albin Kurti ai që ka rrëzuar Qeverinë Kurti 1, në kohën sa ishte koalicioni Lëvizja Vetëvendosje – LDK në krye të shtetit.

“Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK, sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Nga askush nga SHBA, LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Kurti e rrëzoi vet Qeverinë me shkeljen e Marrëveshjes së koalicionit, kur e shkarkoi një ministër të LDK-së. Këtë e bëri me të vetmin qëllim për të krijuar shkas që të bie Qeveria”, shtoi ai.

Sipas Mustafës, Grenell si përfaqësues i Presidentit të SHBA-ve për Kosovën (jo si emër i përveçëm) ka kërkuar nga që të hiqet tarifa e vënë nga Qeveria Haradinaj dhe që kjo tarifë të mos zëvendësohet me reciprocitetin, për ti dhënë shanse bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe dialogut.

Ish-emisari special të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell

Mustafa ka deklaruar se i kishte shkruar Kurtit në atë kohë se nëse nuk respektohen kërkesat amerikane për tarifat dhe nuk bashkëpunohet me SHBA-të si partner strategjik atëherë LDK, posa të kalojë faza e COVID-it, do të del nga Qeveria.

“Jo se do ta rrëzojë Qeverinë por do të del nga Qeveria Kurti. Qëndrimi në një qeveri të tillë e cila nuk bashkëpunonte me SHBA-të ishte i pakuptimtë dhe degradues për LDK-në”.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pati treguar se Grenell, u kishte dhënë LDK-së shtatë ditë kohë që ta rrëzojnë Qeverinë Kurti 1.

Ai ka treguar se ka pasur mesazh të qartë nga Grenell drejtuar LDK-së për këtë çështje dhe se sa herë kalonin ditët pa ndodhur gjë, presioni rritej.

”Ne kemi pasur në mënyrë të saktë dhe të qartë të shkruar se kemi 7 ditë për të rrëzuar qeverinë. Dhe çdo ditë ka ardhur mesazh, 7, 6, 5 nuk ka asgjë të re dhe mezi i kemi nxjerrë tri ditë të reja. E ka thënë vetë ambasadori amerikan se ata kanë bërë presion për ta rrëzuar”, pati thënë Gashi.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi

Megjithatë, Grenell gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, të enjten e 11 nëntorit nuk ka pohuar e as mohuar pretendimet e Gashit, se ai ka ndikuar në rrëzimin e Qeverisë Kurti vitin e kaluar.

“Unë kurrë nuk kam propozuar çfarëdo vendimi politik”, ka shpjeguar Grenell në një paraqitje për media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore