Lajme

Grenell i reagon simpatizantit të LVV-së: Taksapaguesit e SHBA-së paguajnë që trupat amerikane të qëndrojnë në Kosovë


ish-i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell

“Mbështetësi kryesor i Kurtit në SHBA ofendon SHBA-në. Ia kujtoj Admir Mollës se taksapaguesit e SHBA-së paguajnë që trupat amerikane të qëndrojnë në Kosovë”.

Kështu ka shkruar në Twitter ish-i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, duke i reaguar simpatizantit të Lëvizjes Vetëvendosje, Admir Mollës, i cili një natë më parë kishte shkruar në Twitter se Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, nuk duhet të përfshijë vetën në e brendshme të Kosovës, pasi ky i fundit ka thënë se Kosova ka detyrim që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Molla, i cili është pjesë e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që nga publikimet në rrjete sociale shihet që ka kontakte dhe afërsi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, kishte thënë se secili vend ka të drejtë për sovranitetin e vet.

“Amerikanë s’jetojnë në Kosovë. Shumica e tyre kurrë s’kanë dëgjuar për Kosovën. Ambasadori i SHBA-së nuk duhet ta përfshijë veten e tij në punët e brendshme të Kosovës. Secili vend ka të drejtë për sovranitetin e vet pavarësisht madhësisë. Franca e ka çliruar Amerikën, por a është SHBA-ja gjithmonë borgjlike? Jo”, kishte shkruar Molla.

Statusi i simpatizantit të LVV-së Admir Mollës në Twitter

Ndërkaq katër ditë më parë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, në një intervistë për Radion Kontakt Plus, ka thënë se Kosova ka detyrim që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shtuar se “unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

“Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë. Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, pati thënë Kosnett.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin e vitit 2013 thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore