Lajme

Grenell: “Gjykata speciale është politike, ata e panë që ne po shkonim drejt një marrëveshjeje”


Richard Grenell

Ish-dërguari Special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili po qëndron në Kosovë, e ka cilësuar Gjykatën Speciale si shumë politike dhe se kjo e fundit sipas tij ka parandaluar një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai madje ka bërë të ditur se ka biseduar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ka potencuar se pret që sistemi i drejtësisë të punojë sa më shpejt në rastin e Thaçit.

“Kam folur me ish-presidentin Thaçi”.

“Mendoj se duhet ta lëmë sistemin gjyqësor të bëjë punën e tij. Unë uroj që ata të jenë shumë më të shpejtë. Është e turpshme që u deshën 20 vjet për të arritur në këtë pikë. Mendoj se gjykata është shumë politike, ata e panë që ne po shkonim drejt një marrëveshjeje”, tha Grenell për T7.

Grenell me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ish-presidentin Hashim Thaçi

Diplomati amerikan ka folur edhe për punën e gazit, duke thënë se Kosova ka refuzuar të pranojë para nga SHBA-të për të shtyrë përpara projektin e gazit.

Ai madje e ka kritikuar qeverinë Kurti për refuzimin e projektit amerikan të gazit, pasi sipas tij përdorimi i qymyrit është i dëmshëm.

“Çfarë kemi parë prej qeverisë aktuale është një refuzim për të hollat e SHBA-së për gazin. Do të ishte më lirë dhe më e shëndetshme për njerëzit e Kosovës”.

“Do të dëshiroja që ambasada amerikane të ishte më e qartë në këtë drejtim. Ata e humbën mundësinë që të jenë më të qartë”, ka potencuar ai.

Tutje, ish-ambasadori amerikan në Gjermani u shpreh se Administrata Biden duhet të jetë më agresive në Ballkan.

“Ideja që ShBA-ja është duke pritur Brukselin është frustruese. Ne duam të shohim më shumë veprime sa i përket dialogut. Administrata Biden duhet të jetë më agresive. Ata duhet të jenë më aktivë në Ballkan duke e caktuar një Emisar Special. Nuk e kam parë Joe Bidenin duke folur për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë”, vazhdoi ai.

Grenell iu është përgjigjur edhe akuzave të opinionistit serb, Dushan Janjiç, duke i mohuar ato se ai po paguhet nga Serbia.

“Kjo s’është e vërtetë aspak. Është lajm i rremë. Nuk mendoj se mediat duhet të raportojnë një gjë të tillë. Është thashetheme. Mediat kanë përgjegjësinë të raportojnë vetëm faktet”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore