Lajme

Grenell e quan Kurtin fashist: Republikanët dhe Demokratët pajtohen se ai është problemi


Richard Grenell

Ish-Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, akuzoi Gjermaninë se është rreshtuar “në anën e kundërt të historisë”, duke mbështetur një “fashist”, siç e cilësoi kryeministrin kosovar, Albin Kurti, posaçërisht rreth zhvillimeve në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Grenell, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, pretendoi se dy forcat kryesore politike në SHBA – Demokratët dhe Republikanët – rrallë gjejnë gjuhë të përbashkët, sidomos sa i përket politikës së jashtme, por pajtohen se problemi i ngërçit është pikërisht kreu i ekzekutivit kosovar, i cili, sipas diplomatit amerikan, ka nxitur dhunën në pjesën veriore.

“Gjermanët janë në anën e gabuar të historisë: duke përqafuar fashistin Kurti. Çdo shtet në botë ka dënuar Kurtin për nxitje të dhunës – përveç Gjermanisë. Republikanët dhe Demokratët rrallë pajtohen… por ata pajtohen se Kurti është problemi”, shkroi ai, pas vizitës së Sekretares Parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, Siemtie Moeller, në Kosovë.

Madje, diplomati amerikan pretendoi një ditë më herët se gabimet e kryeministrit kosovar në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), mundësuan që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, të fitojë bindshëm në zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë të mbajtura më 17 dhjetor.

“Unë po dëgjoj shumë prova që pretendojnë se të pavarurit dhe pensionistët në Serbi në fund votuan për SNS-në sepse Vuçiç e trajtoi shumë mirë liderin ekstremist të Kosovës. Kur komuniteti ndërkombëtar e dënoi Kurtin në mënyrë universale, atyre iu pëlqeu mënyra se si Vuçiç e menaxhoi krizën. Kurti krijoi probleme dhe radikalizmi ishte një çështje kryesore”.

Ish-përfaqësuesi i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ndonëse pa mandat dhe pa ndonjë pozitë të rëndësishme në administratën shtetërore, prej kohësh është angazhuar në një fushatë kundër kryeministrit Kurti, veçanërisht në raport me çështjet që kanë të bëjnë me procesin e dialogut dhe situatën në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore