Lajme

Grenell brutal me komente: Kurti është kokëkrisur, po shikon si ta fillojë një konflikt


Richard Grenell, ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor dhe një kundërshtar i madh i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur këtë të fundit “kokëkrisur”, duke shkruar në X (ish-Tëitter) se ai e ka ndërmend të fillojë një konflikt.

Prandaj, sipas Grenell, që shpesh lëshon akuza për Kurtin, është e rrezikshme që SHBA-të t’i shesin Kosovës armë derisa ka këtë kryeministër.

Ndryshe nga ish udhëheqësi i Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin Grenell ka vlerësim, Kurti për diplomatin amerikan është i paparashikueshëm.

“Të gjithë e dimë se ai nuk është si Hashim Thaçi, që nënkupton se shitja e Jevelinëve te Kurti është e rrezikshme. Ky djalosh është kokëkrisur dhe po shikon se si ta fillojë një konflikt”, shkroi Grenell në platformën online X.

Duke iu referuar deklarimeve të fundit të Ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili shpalosi pakënaqësitë me Kurtin për vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar transaksionet formale me dinar serbë, Grenell tha se i vjen mirë që më në fund administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka kuptuar kush në të vërtetë është Kurti.

“Ekipi i Joe Biden është tri vjet me vonesë në ta kuptuarit Albin Kurtin dhe veprimet e tij të njëanshme. Por, jam i gëzuar të shoh që më në fund e kanë kuptuar”, shkroi ai.

 

Përplasjet mes Grenell e Kurtit filluan në qeverinë e parë të këtij të fundit, kur kishte komunikime të shpeshta me amerikanin, i caktuar nga Donald Trump nga ambasador në Gjermani, tek njeriu i angazhuar për të bërë “pajtimin historik” mes Kosovës dhe Serbisë.

Pikërisht historinë, thoshte Kurti që nuk e kupton Grenell.

Ai nuk pajtohej me strategjinë e Grenellit dhe e portretizonte si të afërt me Serbinë, pak a shumë çfarë ka bërë në disa raste tash me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Grenell ishte përgjegjës edhe për aranzhimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, të cilën më vonë e nënshkruan Avdullah Hoti nga pozita e kryeministrit të Kosovës dhe Aleksandër Vuçiç nga pozita e presidentit të Serbisë.

Marrëveshje kjo që u bë shkak për transformimin qeveritar në Kosovë në kohën e pandemisë.

Grenell e paraqiste marrëveshjen si historike, Kurti e paraqiste si gabim historik, ku do të ndahet Kosova në copëza për interes të Serbisë.

Në fund s’ndodhi as njëra as tjetra. Marrëveshja u nënshkrua, por pa rezultat të pretenduar, derisa Kosova nuk u nda as s’foli kush për ndarje.

Një notë pozitive ishte njohja e Kosovës nga Izraeli përmes asaj marrëveshje.

Ky kundërshtim i Kurtit për Grenellin në mbrojtje të “ndarjes së Kosovës” u përkthye në mesazh politik e elektoral në zgjedhjet e ardhme në Kosovë dhe përbënte bazën e fuqisë politike që do ta arrinte Kurti më vonë, duke fituar – si askush tjetër më parë – mbi 50 për qind të votës së qytetarëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore