Sport

Gratë që përveç rekordeve, thyen edhe tabutë në sport


Sot kur jemi në ditën botërore të gruas, nuk mund të mos flasim pak edhe për gratë e sportit të Kosovës, dhe të arriturat e tyre në arenën ndërkombëtare.

Xhudo është sporti që ka shënuar më së shumti rekorde në arenën ndërkombëtare te sportistet kosovare.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, janë ndër më të suksesshmet në këtë sport, gratë që i thyen të gjitha parashikimet me pjesëmarrjen e tyre në këtë sport, ku pa dyshim pjesë e suksesit të tyre është edhe trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Majlinda Kelmendi filloi të merrej me xhudo qysh në moshën tetë vjeçare, por ajo për herë të parë mori pjesë në një turne ndërkombëtar, në Kampionatin Botëror për të rinj i cili u mbajt në Paris, aty ku Majlinda doli i para.

Titulli i parë botëror për Majlindën erdhi në vitin 2013, ku ajo mori pjesë në Kampionatin Botëror të Xhudos që u mbajt në Brazil, aty ku Kelmendi fitoi hiç më pak se vendin e parë, duke u bërë Kampione e Botës.

Ajo arriti ta mbrojë titullin botëror edhe në vitin 2014, vit në të cilin Majlinda Kelmendi u shpall xhudistja më e mirë në botë, në të gjitha kategoritë.

Kulmi i karrierës së Majlinda Kelmendit erdhi në vitin 2016, fillimisht pasi e fitoi medaljen e artë në Grand Slam të Parisit, duke e bërë këtë titullin e tretë radhazi.

Dy muaj pas këtij suksesi, ajo triumfoi me medalje të artë në Kampionatin Evropian të Xhudos në Kazan të Rusisë.

Derisa Lojërat Olimpike në Rio 2016, Majlinda Kelmendin e shndërruan në sportisten më të suksesshme kosovare, pasi fitoi medaljen e artë në xhudo dhe u bë atletja e parë kosovare që fiton medalje të artë për Kosovën në Lojërat Olimpike.

Nora Gjakova është xhudistja tjetër nga Kosova, që ka pasur shumë suksese në karrierën e saj, të cilën e filloi në vitin 2008, kur kishte 16 vjeç.

Ajo deri më tani në garat ndërkombëtare në të cilat mori pjesë, ka arritur të fitojë 10 medalje të arta, gjashtë të argjendta dhe 13 herë doli në vendin e tretë në këto turne ndërkombëtar të xhudos.

Xhudistja tjetër kosovare, e cila po ashtu po korr suksese ne karrierën e saj, është Distria Krasniqi.

Në vitin 2015 Distria Krasniqi fillon pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare si përfaqësuese e Kosovës, duke mbrojtur ngjyrat e vendit të saj në vitin 2015, fitoi një medalje bronzi në Kampionatin Evropian në kategorinë e juniorëve, dhe gjithashtu u bë Kampione Botërore.

Ajo gjatë karrierës së saj ka arritur të fitoj gjithsej 36 medalje, 16 prej të cilave mori të artën, tetë herë të argjendtën dhe 12 herë të bronztën.

Loriana Kuka është xhudistja tjetër kosovare e cila gjatë karrierës së saj që e filloi në vitin 2018, ka arritur të fitoj 14 medalje, pesë të arta, dy të argjendta dhe shtatë të bronzta.

Laura Fazliu, është xhudistja tjetër premtuese në të ardhmen. 20-vjeçarja deri më tani ka fituar dy medalje të arta, një të argjendtë dhe gjashtë herë doli e teta në garat e saj.

Donjeta Sadiku është kosovarja tjetër e cila ka arritur shumë suksese në sportin e boksit.

Kulmi i karrierës së saj ishte në vitin 2015, kur ajo u shpall nën kampione e botës për të rinj në boks.

Boksierja kosovare, është kampione e Evropës për të reja ku ajo fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian në Ordu të Turqisë në shtator të vitit 2016.

Astera Tuhina është basketbollistja që vjen nga Kosova, ku 14 vjeçarja së fundmi ishte listuar në 16-shen e FIBA-s, si një ndër basketbollistet që do të na mahnitnin me performancën e tyre në Kampionatin Evropian U16.

Ajo po arritë suksese në Spanjë, ku së fundmi gjatë një interviste, pati një mesazh për sportin tonë në vend, ku sipas saj në Kosovë është lënë prapa liga e femrave, andaj edhe basketbollistet kosovare nuk shohin perspektivë në vendin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore