Bota

Gratë gjermane humbin punën për shkak të pandemisë


Raporti i punësimit midis burrave dhe grave në Gjermani është kthyer si 30 vite më parë. Pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha në pozicionet e humbura, dhe shumica e të dëmtuarave janë gratë.

Sociologia gjermane, Jutta Allmbendinger, shpjegon se ky penalizim ndaj fuqisë punëtore femërore, nuk shihej prej vitesh. Fondacioni gjerman Hans Böckler, ka ndërmarrë studimin mbi humbjen e punës së grave gjatë pandemisë.

Përtej humbjes së punës si pasojë e mbylljes së bizneseve, shkak për shfuqizimin e grave në punë, është mbyllja e shkollave.

Institucionet arsimore janë mbyllur në Gjermani që prej fillimit të pandemisë. Prindërit gjermanë, janë vënë përpara zgjedhjes se kush duhet të qëndrojë në shtëpi.

Për shkak të rolit të grave në shtëpi, çiftet “sakrifikojnë” punët e grave. Ato zgjedhin të jenë tërësisht shtëpiake, ose ta ndërthurin angazhimin shtëpiak me të punuarit online.

Përsa i përket kthimeve në punë, studimi thekson faktin se burrat ri-integrohen më shpejt se gratë. “Grave u duhet më shumë kohë për t’u rikthyer në punë”, thotë Allmbendinger. “Ndryshimi midis burrave të rikthyer në punë pas izolimit dhe grave, është i madh”.

Shqetësim i madh mbetet fakti se në këtë mënyrë, gratë humbin kontaktet me tregun e punës. Atyre i humbet dhe mundësia e çastit për të bërë karrierë gjithashtu. Kjo e vështirëson një integrim të mëvonshëm të tyre në treg kur situata të normalizohet.

Studimi ka vlerësuar edhe ndikimin që pandemia ka pasur tek studentët. Sipas të dhënave, kalimi në mësim online ka ndikuar negativisht.

Përtej vështirësisë së leksioneve, është krijuar dhe një hendek shumë i madh midis studentëve. Studentët nga familjet me të ardhura të ulëta, kanë vështirësi në përshtatje. Të avantazhuar janë ata me gjendje ekonomike të qëndrueshme.

Papunësia e rritur tek gratë nuk është një problem vetëm gjerman. Rritje të papunësisë femërore, ka pasur edhe në SHBA./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore