Bota

140 mijë gra humbin punën gjatë dhjetorit në SHBA


Punëdhënësit amerikanë shkurtuan 140 mijë vende pune gjatë dhjetorit. Të gjithë punonjësit e pushuar, ishin gra!

Këto shifra, shfaqin një pasqyrë në rënie të ekonomisë amerikane gjatë mbylljes së vitit. Në tre muajt para dhjetorit, kishte një rritje të lehtë të punës. Shpresat se efektet e pandemisë ishin zhdukur, u hodhën poshtë.

Aspekti më i frikshëm i kësaj renieje, është që më të prekurat, kanë qenë punonjëset gra. Kishte muaj të tërë që fuqia punëtore femërore ishte më e lartë se ajo mashkullore në SHBA. Kjo epërsi e fuqisë punëtore femërore, nuk ndodhte që prej një periudhe të shkurtër në 2009-2010-ën.

Shifrat zyrtare, tregojnë se 156 mijë gra u pushuan nga puna në dhjetor 2020. Nga ana tjetër, 16 mijë burra iu shtuan fuqisë punëtore. Pra, defiçiti prej 140 mijë vendesh pune, i takon i tëri punonjëseve gra.

Pandemia ka ndikuar shumë negativisht tek gratë punëtore amerikane. Gjatë gjithë 2020-ës, 5.4 milionë gra humbën punën. Kjo lidhet edhe me faktin se ato janë më të prirura të punojnë punë me kohë të pjesshme.

Punët me kohë të pjesshme kanë qenë më të goditura se sa ato me kohë të plotë. Roli i grave në shtëpi, është faktor që vazhdon të ndikojë në zgjedhjen e punëve me kohë të pjesshme nga ana e tyre.

Shumë punë në SHBA, kanë kaluar tërësisht për t’u zhvilluar nga shtëpia. Ky fakt, nuk i ka shpëtuar shkurtimet që sektori privat ka bërë për shkak të krizës.

Ndër gratë të cilat janë pushuar, sërish ka kategorizime. Punët janë humbur vetëm nga gratë me ngjyrë apo me prejardhje latine. Kjo gjë lidhet me faktin se ato marrin përsipër punë më të rëndomta.

Ekspertët amerikanë të ekonomisë, shpresojnë që me fillimin e vitit 2021, bizneset të marrin frymë dhe të rikthejnë punonjësit në punë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore