X thotë se rishfaqja në Brazil pas ndalimit është “e paqëllimshme”

SHFLETO
Sadiola Xhelili
19.09.2024 22:30
Loading Icons...

Disa përdorues të medias sociale X në Brazil ishin edhe një herë në gjendje të hynin në platformë të mërkurën, pavarësisht një ndalimi të vendosur nga gjyqësori i vendit muajin e kaluar.

Përdoruesit brazilianë e mbushën faqen pasi X, e cila është në pronësi të miliarderit të teknologjisë Elon Musk, përditësoi se si aksesohen serverët e tij brenda vendit.

Rivendosja e platformës në Brazil ishte e paqëllimshme, tha një zëdhënës i X në një deklaratë.

“Për të vazhduar ofrimin e shërbimeve optimale për përdoruesit tanë, ne ndryshuam ofruesit e rrjetit. Ky ndryshim rezultoi në një rivendosje të paqëllimshme dhe të përkohshme të shërbimit për përdoruesit brazilianë”.

“Ndërsa presim që platforma të jetë sërish e paarritshme në Brazil së shpejti, ne vazhdojmë përpjekjet për të punuar me qeverinë braziliane për t’u kthyer shumë shpejt për popullin e Brazilit”.

Sakaq, shpjegimi i kompanisë kapi në befasi disa vëzhgues.

“Gjithçka që ndodhi gjatë ditës na bëri të besojmë se ishte me qëllim”, ka thënë Basílio Rodriguez Pérez, këshilltar i ABRINT, grupi kryesor tregtar i vendit për Ofruesit e Shërbimeve të Internetit (ISP).

ABRINT ka deklaruar se X u zhvendos në serverët e pritur nga Cloudflare dhe se siti dukej se përdorte adresa të protokollit dinamik të internetit (IP) që ndryshojnë vazhdimisht, duke i treguar atij se ndryshimi në aksesin për përdoruesit brazilianë ishte i qëllimshëm.

Në të kundërt, sistemi i mëparshëm ishte mbështetur në adresa IP specifike që mund të bllokoheshin më lehtë.

Pérez ka bërë me dije se ato adresa IP dinamike mund të lidhen gjithashtu me shërbime kritike brenda Brazilit.

“Shumë nga këto IP ndahen me shërbime të tjera legjitime, si bankat dhe platformat e mëdha të internetit, duke e bërë të pamundur bllokimin e një IP pa ndikuar në shërbimet e tjera”.

Kjo përfshin shërbimin PIX, nga i cili varen miliona brazilianë për të bërë pagesa digjitale.

Pavarësisht ndryshimit, disa ekspertë thanë se Cloudflare ishte i pozicionuar mirë për të ndihmuar Brazilin të përforconte ndalimin.

Brazili thuhet se është një nga tregjet më të mëdha për rrjetin e mediave sociale të Musk.

Platforma u ndalua në vend muajin e kaluar pasi nuk arriti të përmbushte një afat gjyqësor për të emëruar një përfaqësues të ri ligjor në vend.

Dhe shënoi zhvillimin më domethënës në një grindje midis gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes dhe Musk, e cila filloi në prill, kur gjyqtari urdhëroi pezullimin e dhjetëra llogarive X për gjoja përhapjen e dezinformatave.