Lajme

Gratë duhet të mbulohen 100%, ky është urdhri i ri taleban


Gratë në Afganistan duhet të mbulojnë 100% të trupit të tyre në publik, përfshi fytyrën, sipas një dekreti të ri, që e ka vendosur Qeveria talebane.

Kjo është masa e re shtrënguese ndaj gjinisë femërore në Kabul dhe më gjerë, pas heqjen së të drejtës për të kryer udhëtime të gjata vetëm, për të punuar në shëndetësi apo në fushën e edukimit.

Një kthesë malinje kjo, kur fillimisht u propagandua se gratë do të gëzonin të drejta të plota dhe nuk do të pengoheshin në asnjë veprim të tyre.

Nëse një grua shihet “e zhveshur”, përfshi me fytyrën e saj të zbuluar në publik, atëherë të ndëshkuara nuk do të jenë vetëm ato, por edhe “gardianët” e tyre (bashkëshortët ose baballarët), atëherë ata do të burgosen.

Nëse një vajzë apo grua del “e zbuluar” nga shtëpia e saj dhe familjarët punojnë në administratë, atëherë ata do të pushohen nga puna.

Ky është ligji taleban, i cili është futur tashmë në aplikim.

Madje, cinizmi arrin deri aty, sa t’i sugjerohet grave dhe vajzave të mos dalin fare nga shtëpia, në mënyrë që të mos bien pre e shkeljes së sheriatit.

“Për të gjitha gratë e denja afgane, veshja e hijabit është një domosdoshmëri dhe më i miri, është ai chadori (burqa), i cili është pjesë e traditës sonë dhe shfaq respekt”, deklaroi Shir Mokammad, një zyrtar i Ministrisë së Veseve dhe Virtyteve. “Ato gra, të cilat nuk janë të vjetra ose të reja sipas ligjit, duhet të mbulojnë gjithë trupin, përveç syve”.

Që prej marrjes së pushtetit në gusht 2021, talebanët kanë ashpërsuar masat për qytetarët afganë dhe veçanërisht për gratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore