Lajme

Gramsh/ Përleshje mes adoleshentësh, ndërron jetë njëri prej tyre


Në Gramsh, këtë të martë të 16 majit ka ndodhur një ngjarje e rëndë, ku për pasojë një adoleshent ka ndërruar jetë.

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur pranë shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini”.

Nga informacionet bëhet me dije se pas një sherri me thika mes disa të rinjve, ka humbur jetën shtetasi me iniciale F. B., në klasën e nëntë.

Ndërsa i plagosuri është 15-vjeçari, M. L..

Referuar mjekëve, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën, por do te niset drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Sakaq, mësohet se adoleshenti ka ndërruar jetë në vend.

“Rreth orës 13:30, në lagjen Sport 2, Gramsh, në rrugë, pas një konflikti të çastit mes 5 adoleshentëve është plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), njëri prej tyre, shtetasi F. B., 15 vjeç, i cili pasi është dërguar në spital, ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve”, ka njoftuar policia.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Pas ndjekjes nga Policia, janë kapur dhe janë shoqëruar në Komisariat, katër adoleshentët (ndërmjet tyre dhe autori) e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit E. K., 15 vjeç, A. C., 14 vjeç, O. C., 14 vjeç dhe S. M., 15 vjeç.

Këta të fundit do të merren në pyetje nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në prani të prokurorit, të psikologut dhe të prindërve të tyre.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe përcaktimin e autorësisë së ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve, do të ketë njoftim për arrestimin e autorit dhe për masat që do të merren për 3 shtetasit e tjerë të shoqëruar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore